Biografia e z. Muharrem SHABANIT

Muharrem Shabani është i lindur më 1949 në Samadrexhë të Vushtrrisë, Muharrem Shabani do të mësyjë me hapa të sigurt drejt shtigjeve të diturisë pasi kryen shkollën fillore dhe të mesme, shfaqet interesimi i tij për regjistrim në Fakultet ku edhe regjistrohet në Fakultetin Juridik në vitin 1968 të cilin e përfundon më 1972 në Prishtinë.
Pas mbarimit të studimeve fillon të punojë në organet e Judikaturës, të Administratës komunale, pastaj Drejtor i Fabrikës së Llamarinës në Vushtrri nga e cila fabrikë propozohet dhe zgjidhet delegat në kuvendin atëhershëm të Kosovës të legjislacionit të vitit 1990, për të vazhduar më pastaj nënkryetar i Kuvendit të Kosovës në vitin 1990. Ku falë këtyre vetive të tija të shkëlqyeshme ky guximtar dhe punëtor i madh i çështjes kombëtare merr guximin ta lexojë Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, pasi që më parë 115 kolegët e tij delegatë të Kuvendit të Kosovës i kishin dhënë besimin dhe detyrën për leximin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrik-ut. Pas luftës deri në vitin 2002 vazhdon detyrën e menaxhimit të fabrikës “Llamkos”, dhe prej vitit 2002-2007 Kryetar i Kuvendit Komunal në Vushtrri.

Republika: I nderuari z. Shabani, ju lutemi që të na e sillni para nesh atmosferën politike dhe të përgjithshme në Kosovën e fundin viteve ‚80-ta? Gjenerata e re dhe lexuesit më të rinj të “Republikës“ duan të dinë se ç’ ndodhte asokohe në Kosovë, në Serbi e Jugosllavi?

Muharrem Shabani: Në kuadër të përpjekjeve për liri dhe pavarësi të trojeve shqiptare të ndara dhe të aneksuara padrejtësisht, padyshim se ka shumë ngjarje, data dhe sakrifica të popullit tonë e të cilat do të ishte padrejtësi historike të mos përkujtoheshin. Në këtë drejtim padyshim se edhe ngjarjet e viteve 80-ta paraqesin një etapë të veçantë gjatët së cilës populli i ynë u angazhua për liri dhe pavarësi nga okupimi edhe aneksimi i bërë padrejtësisht pas vitit 1912. Në fund të vitit 1987-1990, në Jugosllavinë e atëhershme ishte instaluar një regjim tejet nacionalist dhe hegjemonist në krye me Millosheviqin dhe kishte tendenca të dominimit të tërësishëm mbi njësitë e ish-federatës Jugosllave. Së pari tendencat hegjemoniste filluan në Kosovë duke marrë dhe hequr çdo kompetencë që atëherë kishin institucionet e Kosovës në të gjitha lëmit. Për këtë pakënaqësia e popullit ishte tepër e madhe dhe ai këtë pakënaqësi e shprehi me protesta dhe demonstrata, duke iu kundërvu gjendjes së jashtëzakonshme ushtarake dhe policore të instaluar në ato vite në Kosovë. Kuvendi apo legjislacioni i përbërjes së kuvendit të 2 korrikut apo 7 shtatorit të vitit 1990 u zgjodh në rrethana të veçanta, në një gjendje të jashtëzakonshme ushtarako-policore të shpallur nga ish-organe të RSFJ-së në Kosovë, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989 (më duket me 23 mars), pas shumë arrestimeve, të veprimtarëve, izolimeve të intelektualeve, helmimeve të nxënësve, me bindje se ky Kuvend do te jetë “i ndëgjueshëm” dhe do të pajtohej me politikat e regjimit okupues. Mirëpo ndodhi e kundërta dhe ky Kuvend në kuadër të mundësive reale të kohës me çdo sakrificë ishte i gatshëm që të shprehte publikisht dhe institucionalisht vullnetin e popullit të vet. Ky Kuvend në ndërtesën e tij funksionojë rreth vetëm 7 (shtatë) muaj ditë. Pasi që me 2 korrik të vitit 1990 kur duhej të mbahej seancë e rregullt e punës dhe duhej të shpallej Deklarata e Pavarësisë, dyert e Kuvendit ishin të mbyllura dhe të bllokuara me njësi të shumta ushtarake e policore të cilat nuk lejuan hyrjen në sallën e kuvendit, të delegatëve. Për këtë pas shumë përpjekjeve për të hyrë brenda në lokalet e Kuvendit delegatët u detyruan që mbledhjen ta mbanin para shkallëve të Kuvendit duke miratuar deklaratën kushtetuese të Pavarësisë me 2 korrik të vitit 1990 nga 115 delegat sa ishin prezent, pasi që më parë ishte përgatitur skenari për mënyrën dhe kushtet e udhëheqjes së seancës së Kuvendit. Seancën e Kuvendit e udhëhoqi Bujar Gjurgjeala nga Prizreni, ndërsa leximi i Deklaratës Kushtetuese më ishte besuar mua. Kjo Deklaratë në rrethanat e kohës shprehte kërkesat dhe vullnetin e popullit për Republikën e Kosovës për të cilën kishte pas sakrifica të shumta edhe më parë gjatë historisë. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut ishte një akt juridiko-kushtetues dhe politik që shprehte vullnetin e popullit. U nxor në kohen kur në Jugosllavinë e atëhershme ishte e nevojshme barazia e të gjitha njësive federale dhe u nxor në kohën kur ish-Jugosllavia kishte hyrë në tendencat e shkatërrimit të saj të pakthim. Vlen të theksohet se po të njëjtën ditë kemi marr telegram urimi për Deklaratën e Pavarësisë nga një grup i senatorëve dhje kongresmenëve amerikan, disa prej të cilëve me kujtohet se kanë qenë: i ndjeri z. T. Lantosh, i cili para disa ditësh ndërroi jetë, z. De Konsini, z. A. Domato, z. Engel etj. Që edhe tani u dëshmua se përkrahja më e madhe dhe e fuqishme ka qenë nga SHBA –të dhe shumë vende të Evropës Perëndimore.

Republika:Serbia kishte vendosur që të shkelte autonominë e Kosovës dhe të Vojvodinës dhe më vonë ta shndërronte federatën jugosllave një Serbi të Madhe. Si dukej ky brutalitet serb në Kosovë?

Muharrem Shabani:Serbia me politiken e saj hegjemoniste së pari filloi të shkelte autonominë e Kosovës pasi që dinte se rezistencat dhe kërkesat për Pavarësi të Kosovës dhe populli shqiptarë ishin me të fuqishmet çdo herë prej aneksimit. Populli shqiptarë në ish-Jugosllavi ishte populli i tretë për nga numri (pas serbëve dhe kroatëve). Serbia përdori ushtrinë dhe policinë e terë ish-Jugosllavisë që në mënyrë të dhunshme të suprimoi autonominë e Kosovës dhe të shkelte edhe ato pak të drejta që kishin shqiptarët sipas Kushtetutës të vitit 1974. Në mënyrën më brutale u shuan shumë protesta dhe demonstrata, greva të shumta e në veçanti e minatorëve, me vrasja, plagosje,izolime,torturime nëpër organet e sigurisë, helmime të nxënësve etj.

Republika:Ju i takoni asaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, e cila erdhi pas asaj përbërjeje që e rrethuar me tanke ushtrie e policie, përjetoi poshtrimin më të madh për kohën- suprimimin e autonomisë. Serbët me gjoja përbërje të re të Kuvendit menduan se i kishin rregulluar njëherë e mirë punët me Kosovën. Por ju befasuat edhe njerëzit e Kosovës që kishin humbur shpresat, por më shumë Serbinë e cila u pas se u mashtrua rëndë, sepse ju treguat se shqiptari megjithatë kurrë nuk do të lejonte t’i shkelej e drejta e tij mbi Atdheun e të parëve. Si e shihni ju nga kjo distancë gjithë atë trazim dhe gjithë atë që lirisht mund ta quajmë një kryengritje jo vetëm popullore por edhe rebelim institucional?
 
Muharrem Shabani:Është e vërtetë se legjislatura e Kuvendit të Kosovës, në të cilën u zgjodhëm në e filloj punën në një gjendje tepër të rëndë në të gjitha sferat e jetës. Ishte suprimuar ajo pak autonomi në mars të vitit 1989, ishin vu masat e dhunshme në çdo institucion publik dhe ekonomik, ishin burgosur dhe izoluar shumë intelektual dhe kuadra shqiptare, ishin bërë ndryshime në Kushtetutën e atëhershme të Kosovës e që pritej që legjislacioni jonë t’i zbatonte ato ndryshime në dëm të popullit tonë. Mirëpo ndodhi e kundërta ai Kuvend që në fillim u angazhua për anulimin e të gjitha akteve dhe vendimeve të kundërligjshme dhe të marrura me dhunë, dhe të nxjerrte akte dhe vendime që janë konformë interesit dhe vullnetit të popullit nga Kuvendi paraprak. Duke iu kundërvuar kërkesave për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese (amendamenteve) të aprovuara në një gjendje të jashtëzakonshme nga Kuvendi paraprak. Për këtë filluan edhe ndaj neve masat e dhunës, kërcënimet në arrestime dhe burgosje, marrja në pyetje nga organet e sigurimit dhe ngritjen e procedurave penale. Për kundër të gjitha këtyre delegatet e përbërjes së atij Kuvendi nuk heshtën por vepruan dhe nxorën akte të nevojshme për shtetin e Kosovës siç ishte Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, Kushtetuta e 7 shtatorit në Kacanik, Rrezoluta mbi Shtetin Sovran dhe të Pavarur të Kosovës sipas referendumit të mbajtur në shtator të vitit 1991.

Republika:Emri juaj dhe emrat tuaj përgjithësisht lidhen me dy data tashmë historike të Kosovës: 2 Korrikun dhe 7 Shtatorin e Kaçanikut. Ju lutemi të na shpjegoni cilët faktorë çuan deri te këto kthesa, kur dihet se një kohë kuadrot tona i kishin ndenjur shumë butë Serbisë…

Muharrem Shabani:Situata e krijuar e Kosovës në vitet 1987-90 ishte tepër e rëndë, sakrificat e popullit ishin të shumta, heshtja e atyre ngjarjeve më pasoja të rënda për popullin dhe Kosovën ishte e pamundur. Për këtë së pari një grup e pastaj edhe pjesa më dërmuese e delegatëve të kuvendit u bashkëngjitën në nxjerrjen e vendimeve të cilat populli i kishte kërkuar me vite të tëra dhe sakrifica të shumta. Sakrificat e shumta të popullit shqiptarë, pastaj masat brutale të regjimit serb, duke parë të rinjtë – nxënësit e helmuar, studentët të ndjekur dhe përgjakur nëpër demonstrata dhe protesta, punëtorë të shumtë nga të gjitha viset që kërkonin të drejtat e tyre kombëtare, minatorët e Trepçës që kërkonin të mbrohen të drejtat e popullit, duke parë të rinjtë tanë që ktheheshin në sanduqe nga ushtria, e të cilat sanduqe nuk lejoheshin të hapeshin dhe ishin të blinduara kinse të rinjtë tanë kishin bërë vetëvrasje. Të gjitha këto ishte e pamundur qe te tejkalohen dhe me çdo sakrificë tonën personale, në vendosem qe t’i shprehim në mënyrë legale nëpërmes institucioneve të kohës kërkesat e tyre qytetare me akte juridike dhe politike të cilat sublimonin vullnetin e tyre. Për këtë mendoj që vendosmëria e delegatëve të legjislacionit tonë duhet vlerësuar në kohë dhe hapësirë, në mënyrë reale sepse përkundër çdo sakrifice ata pa hezitim shprehen vullnetin e popullit. Vlen të theksohet se pas këtyre akteve të Kuvendit, kundër delegatëve filloi ndjekja nga organet e sigurimit dhe të judikatures duke hapur procedura penale ndaj disa delegatëve p.sh. kundër meje, Bujarit dhe Adem Mikullovcit ishte hapur procedurë penale në Gjykatën e Qarkut të Valevës – qytet afër Beogradit. Poashtu ishte dhënë urdhërarrestim kundër delegatëve dhe disa prej tyre u arrestuan.

Republika:Pas këtyre akteve ju personalisht dhe pothuajse tërë parlamenti u detyrua të merrte rrugën e gjatë të veprimit nga jashtë Kosovës. Mbaj mend ardhjen tuaj në Lubjanë bashkë me kolegë të tjerë parlamentarë. Si jeni ndjerë asokohe dhe cilat veprime keni ndërmarrë?

Muharrem Shabani:Pas miratimit të Deklaratës së 2 korrikut dhe Kushtetutes së 7 shtatorit në Kaçanik, dhe me qëllim të vazhdimit të aktivitetit të Kuvendit në marrëveshje me Keshillin ndër partiak të kohës që vepronte në Kosovë dhe pas pelqimit të organeve kompetente të Republikave të Sllovenisë dhe Kroacisë pjesa dërmuese e delegatëve vazhdoi punën në ekzil duke u strehuar në Slloveni dhe Kroaci. Ishin këto dy Republika të ish-Jugosllavisë që kishin ardhë në konflikt dhe nuk pranonin politikën hegjemoniste të Millosheviqit – Serbisë. Strehimin tonë në Slloveni dhe Kroaci e organizuan bashkëkombasit tanë që gjendeshin në këto shtete duke ndihmuar financiarisht qëndrimin dhe veprimin tonë në këto republika, por natyrisht me përkrahjen financiare edhe të qytetarëve nga Kosova, për çka u jemi mirënjohes përherë. Vlen të theksohet se vitet e përparme të ekzilit ishin tepër të rënda, mirëpo qendrimin në Slloveni dhe koordinimin e aktivitetit në masë të madhe e ndihmoi edhe shoqata “Migjeni“, pranë të cilës shoqatë ishin tubuar shumë veprimtarë dhe intelektual të cilët në rrethanat e kohës kontribuan shumë në ndëkombëtarizimin e qështjes së Kosovës, pasqyrimin e realitetit të rëndë të gjendjes së okupimit në Kosovë. Poashtu u jemi mirënjohes edhe institucioneve të Sllovenisë dhe Kroacisë që në atë kohë mundësuan strehimin dhe veprimin tonë atje.

Republika:Një kohë të gjatë shumica e shqiptarëve të Kosovës ka menduar se objektivat e tyre kombëtarë e demokratikë do t’i arrijnë vetëm me mjete pacifiste. Por në ndonjë mbledhje të parlamentit që takohej jashtë Kosovës më ka rënë të dëgjoj se kishte nga ju që mendonit se Parlamenti duhej të shpallte gjendjen e luftës… Ju kujtohen këto thyerje brenda jush lidhur edhe me alternativën e luftës së armatosur?

Muharrem Shabani: Është e vërtetë se në fillim ishte një parabindje se zgjidhja e problemeve në Jugosllavi dhe në Kosove do të mund të arrihej me mjete paqësore. Mirëpo kjo formë e zgjidhjes u pa se ishte e pamundur pas zhvillimit të ngjarjeve në Republikat e ish-Jugosllavisë në Slloveni, Kroaci, Bosnje. Për këtë pati edhe ide të organizimit të formës alternative të luftës së armatosur për mbrojtjen e popullatës. Për këtë pati edhe takime të ndryshme mirëpo ideja ishte që njësitet e ushtrisë të formohen pas krijimit të kushteve në trojet shqiptare. Vlen të theksohet takimi i udhëheqjeve politike nga Kosova dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi së bashku me shumë oficer ushtarak shqiptarë dhe veprimtarë i mbajtur në afërsi të Zagrebit në fillim të vitit 1992 (Qarteshke Toplice ?). Ku u propozuan qëndrime dhe projekte lidhur me nevojën, format e organizimit të mbrojtjes së armatosur.

Republika: Na flisni se kur keni filluar të kuptoni se Kosova megjithatë do të shtrëngohet të futet në luftë me Serbinë?

Muharrem Shabani:Ngjarjet që ndodhen ndërkohë në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë ishin dëshmi se Lufta do të shtrihej edhe në Kosovë sepse që atëherë regjimi serb kishte caktuar kufijtë për Serbinë e madhe. Represioni, i regjimit të pushtetit serb kishte filluar me metoda më barbare ndaj popullit tonë pa dallim duke ndjekur veçanërisht të rintë ta lëshojnë vendin dhe duke krijuar një atmosferë të padurueshme në Kosovë. Ndjekja e punëtorëve nga fabrikat, studentëve nga fakultetet, nxënësve nga shkollat, vumja e masave të dhunshme në ndermarrjet ekonomike të Kosovës të cilat ishin ndërtuar me djersën e punëtorëve Kosovar- shqiptarë, u krijua situatë e rëndë që kërkonte organizim të rezistencës së arfmatosur.

Republika: Do të doja të më thoshit si e keni ndjerë veten në Lubjanë, si i kujtoni ato ditë ekzili. Mendoj se do të ishte me interes që të kuptohet edhe qëndrimi i shtetit slloven dhe sjelljet e shqiptarëve të Sllovenisë dhe Kroacisë ku ju dhe kolegët tuaj, bile edhe familjet tuaja, në shumicën më të madhe edhe nuk e keni pasur aq lehtë…

Muharrem Shabani: Do të jemi mirënjohës përherë Shtetit Slloven dhe Kroat për përkrahjen e tyre gjatë ekzilit në këto dy shtete të cilat lejuan strehimin tonë, në veçanti u jemi mirënjohës shqiptarëve për ndihmën e tyre të gjithanshme në strehimin e delegatëve, bile në shumë raste edhe familjeve të tyre edhe pse një pjesë e tyre në gjendje të rëndë ekonomike nuk kursyen parat e tyre të cilat i kishin fituar me mund të madh, që t’i mbanin delegatët. Gjithashtu e madhe ishte edhe përkrahja e shoqatës së shqiptarëve “Migjeni” në Slloveni e cila në rrethanat e kohës luajti një rolë të madh në informimin mbi gjendjen reale në Kosovë dhe ndërkombëtarizimin e problemeve të Kosovës jo vetëm në Slloveni por edhe më gjer në Evropë dhe Botë. Pa përkrahjen e tyre do të ishte i pamundur aktiviteti jonë në këto vende. Ku u morën vendime me rëndësi në rrethanat e kohës siç ishte vendimi për referendum për pavarësi në shtator të vitit 1991, dhe në bazë të këtij referendumi Rezoluta për shpalljen e Kosovës shtet Sovran dhe i pavarur. Vlen të theksohet se gjatë qëndrimit në këto vende patëm organizime të vizitave të shumta dhe takime me përfaqësues të parlamenteve dhe qeverive të shumta të shteteve evropiane dhe të SHBA-ve, në shume prej këtyre shteteve, në takime me parlamentar, përfaqësues të qeverive, organizatave për të drejtat e njeriut (rreth 14 shtete).Në këto vende dorëzuam shumë materiale me shkrim, fakte dhe prova të cilat argumentonin krimet e regjimit serb në Kosovë. Me këtë rast më lejoni edhe një herë t’i falënderoj të gjithë bashkatdhetarët tanë në Slloveni dhe Kroaci por edhe gjetiu në Evropë dhe Amerikë për përkrahjen dhe ndihmën e tyre.

Republika: Pas luftës ju keni qenë në drejtim të ekonomisë dhe politikës në Vushtrri. Si e keni gjetur qytetin tuaj dhe si ia keni dorëzuar pasardhësit tuaj? Aktualisht me se merreni dhe si jeni me disponim këto ditë kur paralajmërohet sendërtimi i ëndrrës suaj dhe të popullit tuaj për të cilin keni dhënë aq shumë nga vetja juaj?

Muharrem Shabani:Qyteti dhe komuna e Vushtrrisë pas luftës dolën me pasoja dhe dëme të mëdha njerëzore dhe materiale me afro 750 të vrarë, 118 të zhdukur me rreth 8400 objekte ndërtimore të djegura dhe të shkatërruara, infrastrukturë gati tërësisht të shkatërruar brenda dhe jashtë qytetit, shkolla të djegura dhe të granatuara, objekte shëndetësore, biblioteka, Xhami etj. Prandaj një gjendje e tillë për sanimin e këtyre dëmeve dhe pasojave kërkonte një angazhim të madh. Së pari pas luftës kam udhëhequr fabrikën “Llamkos” në Vushtrri që ishte një ndër objektet me gjendjen fizike dhe ekonomike më të mirë në Kosovë e cila punëson 500 punëtor. Ndërkohë kam kaluar në bazë të kërkesës së rinisë dhe qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë në detyrën e Kryetarit të Kuvendit Komunal në Vushtrri që nga viti 2002 gjerë më 2007. Gjatë kësaj kohe komuna e Vushtrrisë ka shënuar suksese që asnjë herë në historinë e saj disa shekullore nuk i ka përjetuar. Sepse në këtë kohë në Komunën e Vushtrrisë u shtruan shumë rrugë qoftë në qytet apo në vise rurale, u ndërtuan shumë shkolla, spitali modern, palestra sportive, trafo dhe rrjeti i rrymës, ujësjellës nëpër fshatra, rregullimi i varrezave të dëshmorëve ndër më të mirat në Kosovë, shumë objekte tjera të infrastrukturës të cilat ndryshuan pozitivisht jetën e qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë. Aktualisht jam anëtarë në Asamblenë Komunale në Vushtrri dhe udhëheqës i Iniciativës Qytetare të Vushtrrisë. Edhe unë si i gjithë populli shqiptar ndjejë një kënaqësi të veçantë që sakrificat e shumë gjeneratave të popullit tonë po sendërtohen me Pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, dëshira ime mbetet që Kosova të ndërtohet në një Shtet të mirëfilltë ligjor ku do të kenë perspektive për një ardhmëri më të mirë të gjithë qytetarët e saj.

Republika: Mbaj mend kur në një takim me parlamentarë sllovenë ku isha edhe vetë, atyre u patët folur me krenari për Kosovën e begatshme dhe joshëse për investime të huaja (edhe sllovene). Jeni ende optimist se do të jemi një shtet i suksesshëm si në zhvillimin ekonomik, po ashtu edhe në prosperitetin demokratik?

Muharrem Shabani:Gjatë aktivitetit tim por edhe të kolegëve të mijë si nënkryetar i kuvendit të Kosovës isha në delegacione dhe në vizita të ndryshme. Sikurse edhe në Slloveni dhe në ato në vende të tjera të Evropës dhe SHBA-ve ku kemi pasur kontakte me përfaqësues të huaj çofshin diplomatik apo edhe të bizneseve jam angazhuar që pasuritë natyrore të vendit tim t’i paraqes denjësisht pasi këto pasuri natyrore më parë i ka eksplatuar Serbia për qëllime të saja dashakeqe. Jam i bindur se nëse ndërtojmë institucione të mirëfillta demokratike e të përgjegjshme dhe profesionale besoj që Kosova do të jetë një shtet i fuqishëm dhe me një rend demokratik dhe zhvillim ekonomik me mundësi prosportiteti dhe ardhmëri të mirë për të gjithë qytetarët e saj. Së fundi për këtë na obligojnë sakrificat e popullit tonë të bëra jo vetëm në luftën e fundit apo dekadën e fundit por edhe gjenerata të tëra falë edhe përkrahjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë. Për mua mbetet primare ndërtimi i shtetit të mirëfilltë demokratik dhe ligjor ku do të hapen përspektiva për një të ardhme më të mirë për të gjithe qytetarët e veçançrisht të rinisë. Prandaj na nevojitet një shtet ku do të sundoj ligji ku do të ketë zhvillim ekonomik të shpejt duke u bazuar në resureset natyrore të Kosvës.

Republika:Zoti Shabani, ju falemi nderit për intervistën. Ju urojmë shëndet dhe jetë të lumtur personale dhe familjare. „Republika“ përshëndet edhe Vushtrrinë, këtë vend të bukur të njerëzve bujarë e të virtytshëm!

Muharrem Shabani:Ju faleminderit edhe juve të Revistës “Republika” për kohën që keni gjetur që të bëni intervistë me mua, për fund më lejoni që të ju përgëzojë juve dhe redaksinë tuaj dhe njëkohësisht t’i përshëndes edhe lexuesit tuaj kudo që ndodhen dhe të ju uroje çdo të mirë në jetë.

Pyetjet i përgatiti Salih Kabashi, kurse e intervistoi: Hajdin ISLAMI, gazetar nga Vushtrria-Kosova.