Agjencia e Pavarur e Lajmeve VushtrriaPRESS

Kontaktoni Redaksinë: vushtrriapress@hotmail.com

Hapet Panairi i librit “Prishtina 2008″  

Minire Berisha

Prishtinë, maj - Shoqata e Botuesve të Kosovës, prej 19 deri më 24 maj, organizon panairin e dhjetë të librit “Prishtina 2008”, në të cilin pritet të marrin pjesë 100 deri 120 botues nga vendi, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Panairi do të mbahet në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Panairin këtë vit do ta hapë kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Në këtë panair pritet të ekspozohen mbi 2000 tituj të ri veprash të gjinive dhe llojeve të ndryshme, duke filluar nga libri për fëmijë, letërsia origjinale dhe e përkthyer, veprat shkencore e deri te libri universitar. Gjatë ditëve të panairit do të jenë të pranishëm shumë krijues dhe nga botuesit pritet të organizohen edhe aktivitete përcjellëse, biseda me autorë, promovime librash etj.

Bashkorganizatori i Panairit të 10 të Librit “Prishtina 2008”, Bexhet Bici, i ka thënë “Epokës së re” se tani janë duke u bërë përgatitjet e fundit dhe se kanë mbetur vetëm punët finale, vendosja e stendave dhe pritja e botuesve.

Ai ka njoftuar se nga Shqipëria deri më tani ardhjen e ka konfirmuar Diana Quli, Tonin Çobani dhe disa shkrimtarë të tjerë, kurse nga Mali i Zi deri më tani askush nuk është paraqitur; nga Maqedonia ardhjen e kanë konfirmuar shtëpitë botuese të zakonshme që kanë qenë edhe më herët në Panair të Librit, si shtëpitë botuese “Logos-A”, “Furkan”, “Asdreni” etj., dhe disa shtëpi botuese nga Maqedonia që merren me libra fetarë. Po ashtu pritet që në këtë panair të jetë mysafir edhe Ben Blushi.

Sipas Bicit, Panairi i 10 i Librit para lexuesve kosovarë, në radhë të parë, do të paraqesë tituj të rinj të librave, të cilët janë të shumtë.

“Do të jetë libri më i ri i Orhan Pamukut, që enkas do të vijë në këtë panair. Do të ketë edhe shumë libra të tjerë që për herë të parë paraqiten në këtë panair. Gjatë panairit do të këtë edhe shumë promovime të librave”, ka thënë Bici.

Ai ka deklaruar se hapësira e panairit është jashtëzakonisht e ngushtë, pasi që do të jenë pjesëmarrëse 100 apo 120 shtëpi botuese.

“Ndoshta është fat i mirë që do të ketë shumë botues, por, nga ana tjetër, kam frikën se jo të gjitha shtëpitë botuese do të mund t’i reklamojnë të gjithë titujt e librave, për arsyeje se detyrohemi t’ua ngushtojmë hapësirën disa botuesve, pa dëshirën tonë. Vetëm për shkak të hapësirës së vogël, një shtëpi botuese do t’i ketë 30 metra katrorë për reklamim të librave”, ka thënë Bici.

I pyetur pse panairi i librit nuk mbahet në sallën 1 Tetori pasi që aty është hapësira më e madhe, Bici është përgjigjur se në atë sallë është mbajtur Panairi i Dytë i Librit, mirëpo nëntë panaire të tjerë janë mbajtur në Pallatin e Rinisë.

Ky vendim është marrë realisht gjashtë muaj më herët, dhe nuk kishim gjasa ta ndërrojmë sallën. Ai ka thënë se Prishtinës i mungon një hapësirë, jo vetëm për mbajtjen e Panairit të Librit, mirëpo edhe për aktivitete të tjera kulturore.

 “Nëse ka diçka të veçantë këtë mund ta bëjnë vetëm botuesit, dhe nëse do të vijë ndonjë shkrimtar në këtë panair, ajo është kompetencë e botuesve”, është shprehur ai, duke bërë të ditur se gjatë këtij panairi janë edhe disa jubile, si: 100-vjetori i Kongresit të Manastirit, po ashtu 100-vjetori i lindjes së Eqrem Çabejt, 130-vjetori  i Lidhjes së Prizrenit.

Në panair do të shitet edhe libri i ri i Çabejit që është botuar tani. Kurse sa i përket 130-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Bici ka thënë ndoshta do të mbahet një tribunë.

Sa i përket uljes së çmimeve të librit, Bici ka thënë se kjo varet nga secili botues.

“Për botuesit e Kosovës jam i bindur se do të ketë zbritje së paku 20 për qind”, ka thënë ai. Ndërsa “lufta” ndërmjet librit dhe internetit Bici ka thënë se po e shqetëson të gjithë botën, jo vetëm Kosovën.

“Leximi është pjesë e edukatës. Është duke u bërë një luftë e madhe ndërmjet librit dhe internetit”, ka thënë ai.

Panairi i Librit “Prishtina 2008” donator ka Ministrinë e Kulturës, Sportit dhe Rinisë, si dhe Drejtorinë për Kulturë të Komunës së Prishtinës.

Falenderojmë për këtë informacion gazetarën Minire Berisha.

Nga : vushtrriapress@hotmail.com

19 Maj 2008 më 1:12 pm

Komento