Agjencia e Pavarur e Lajmeve VushtrriaPRESS

Kontaktoni Redaksinë: vushtrriapress@hotmail.com

Këngëtaret ndihmojnë fëmijët e Krushës së Madhe  

 

Prishtinë, maj  2008 Më 1 qershor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në restorantin e madh të hotelit “Grand” do të mbahen darka dhe ankandi, me qëllim të ngritjes së fondeve për fëmijët jetim të Krushës së Madhe. Në këtë mbrëmje, ku do të jenë të pranishme shumë këngëtare kosovare, do të mbahen dy ankande me veshje dhe me piktura. Të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave dhe paratë e grumbulluara nëpërmjet ankandit do të shkojnë për renovimin e një objekti në Krushë të Madhe, që pritet të përurohet në shtator të këtij viti.

Mbështetës financiarë të këtij projekti janë “Llotorit Klauf” (Klubi “Lotari”), Oda Ekonomike e Kosovës dhe “Singapor”. Transmetimi do të jetë i drejtpërdrejtë në Radio Televizionin e Kosovës. Kurse shuma e parave të mbledhura do të deklarohet atë mbrëmje në përfundim. 1 qershori do të jetë vetëm fillimi i atij projekti, i cili do të vazhdojë edhe në muajin korrik dhe gusht.

Për këtë projekt janë të njoftuar edhe grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, AKR-së, AAK-së, Ministria e Arsimit, ajo e Kulturës, pastaj Ministria e Shëndetësisë, ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kështu që organizatorët shpresojnë që grupet parlamentare dhe përfaqësuesit e ministrive të jenë të pranishëm në atë mbrëmje.

Projektin humanitar do ta ndihmojnë edhe disa këngëtare të estradës kosovare.

Organizatorja e këtij projekti, Ulpiana Lama, ka thënë se në këtë projekt janë grumbulluar ato që kanë një beck graund në kauzat humanitare.

Kurse Afërdita Paçarada, ka thënë se 1 qershori është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, dhe kjo ditë nuk bën të lihet pa u shënuar.

“Të gjithë e dimë se me miliona fëmijë në botë vuajnë nga uria, nga sëmundjet dhe mungesa e shkollimit, pikërisht kjo është arsyeja e organizimit të këtij aktiviteti dhe është një rast i mirë për ta kujtuar dhe për t’i përmbushur nevojat e tyre për aq sa kemi mundësi”, ka thënë Paçarada. Sipas saj, ky aktivitet mund të shndërrohet edhe në aktivitet tradicional që për çdo vit t’i përmbushë nevojat e këtyre fëmijëve.

Ndërsa Diellza Kolgeci, ka thënë se dëshiron t’ua freskojë mendjen disave që kanë harruar se çka ka ndodhur në Kosovë.

“Vetëm në mars të vitit 1999 në Krushë kanë qenë 204 viktima dhe për shkak të numrit të madh të viktimave popullata e Krushës, shumica nëna dhe fëmijë, kanë shumë nevojë për përkrahjen tonë”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, pikërisht për këtë arsye janë mbledhur të gjitha femrat për t’i solidarizuar shpirtërisht të gjitha nënat e fëmijëve të cilët nuk i kanë njohur baballarët e tyre. Sipas saj, kjo bëhet që në të ardhmen të mendojmë shumë më shumë për ata fëmijë dhe ato nëna të cilat vuajnë ende për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur dhe të cilat po harrohen.

Edhe këngëtarja Jehona Sopi, e cila ka qenë shumë aktive në këtë drejtim, ka thënë se përveç efekteve psikologjike, si pasojë e traumave të luftës, në mungesë të babait si shtylla e shtëpisë, fëmijët hasin në shumë vështirësi.

Ajo ka bërë të ditur se me mjetet që do të grumbullohen në atë mbrëmje synohet që, sadopak, t’u ndihmojnë fëmijëve.

“Duhet që atyre fëmijëve t’u krijojmë një ambient të këndshme të lodrave, të internetit, të bibliotekës, dhe një qendër ku ata t’i harrojnë paksa problemet dhe vështirësitë e tyre”, ka thënë Sopi.

Ndërkaq, këngëtarja Leonora Jakupi, është shprehur se përveç fëmijëve, natyrisht që ndihma do të jetë edhe për nënat e Krushës, të cilat, po ashtu, kanë nevojë për ndihmë. “Ato mbajnë familjen dhe dihet se janë të vetme. Qëllimi ynë është që t’i ndihmojmë ato prodhime që punojnë ato. Mjetet me të cilat ato punojnë janë goxha të kushtueshme dhe shpresojmë që me këtë aktivitet t’u ndihmojmë që të sigurojmë ato mjete me të cilat ato punojnë”, ka thënë Jakupi.

Mimoza Mustafa ka folur rreth organizimit të kësaj mbrëmje. Në restorantin e madh të hotelit “Grand” do të mbahet darka e cila ka për qëllim ngritjen e fondeve. Në këtë mbrëmje do të mbahen dy ankande me veshje dhe me piktura. Ajo ka bërë të ditur se xhirollogaritë janë të hapura në NLB Prishtina 1701001600001731, dhe në Raiffeisen Bank (solidarizim 2008) 150100108715445.

Gjithashtu edhe Vesa Luma shpreson se ky nuk do të jetë projekti i fundit që do ta mbështesë në mënyrë sado modeste. Ajo ka thënë se një mbështetje mjaft të madhe për këtë mbrëmje kanë dhënë kompania “Unioni Comerc”, “Singapol”, “Grand” dhe Oda Ekonomike. Për këtë janë të njoftuar edhe grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, AKR-së, AAK-së, Ministria e Arsimit, e Kulturës, e Shëndetësisë, e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Edhe Gili ka thënë se nuk duhet ta harrojmë faktin se në Krushë të Madhe jetojnë mbi 500 jetimë të luftës, janë 204 të veja dhe ata kanë nevojë për ndihmën tonë dhe kontributin tonë. Mos të presim gjithmonë që ndihmat të vijnë nga ndërkombëtarët. “Kërkojmë të vetëdijesohet popullata që dora t’i ndihmojë dorës”, ka thënë Gili.

Kurse këngëtarja Nora Istrefi, është shprehur se më shumë dëshirë dhe me shumë vullnet e mbështet këtë aktivitet. Ajo në vazhdim bëri të ditur se pjesa artistike drejtuese është përgatitur nga Rudina Magjistari, Besin Dina, Eliza Buxhovi dhe Ulpiana Lama.

Shkruan: Minire Berisha

Nga : vushtrriapress@hotmail.com

29 Maj 2008 më 2:11 pm

Komento