Prishtinë, qershor 2008 Me rastin e manifestimit të 130 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës (BKUK) është promovua libri “Kongresi i Berlinit 1878 -Çështja Shqiptare, protokollet dhe vendimet”, i autorit Jusuf Buxhovi. Libri ka një rëndësi të veçantë pasi që ka të bëj më dokumentet dhe vendimet e Kongresit të Berlinit dhe materiale të tjera që janë botuar për herë të parë. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, dhe është një libër mjaftë voluminoz me 671 faqe, i cili është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë, dhe Sporteve të Republikës së Kosovës.  I pranishëm në këtë përurim ishte edhe ministri i kulturës Valton Beqiri, përfaqësuesi i ambasadës së Shqipërisë në Kosovë Arben Çejku, dhe shumë studiues dhe pjesëmarrës të tjerë.  Drejtori i Institutit të historisë Jusuf Bajraktari , ka thënë se autori është emër i njohur me krijimtarinë e tij letrare e publicistike përtej hapësirës tonë kombëtare, e gjithë vepra e tij e mbështetur në të kaluarën tonë historike. “Ai duke e njohur gjuhën dhe kulturën gjermane dhe duke qenë i pasionuar për gjurmimin e dokumenteve burimore për njërën nga ngjarjet politike më të mëdha të Evropës së shekullit XIX – Kongresin e Berlinit, ka arritur që të shndrisë e të sqaroj më argumente të reja Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, që padyshim njërën ndër ngjarjet më kulturore në historinë tonë kombëtare” ka thënë Bajraktari, duke shtuar se libri është një kontribut i çmueshëm për çdo autor, aq më tepër kur këto ngjarje historike që trajtohen në këtë vepër, me gjithë distancën kohore 130 vjeçare konvergjojnë më aktualitetin e sotëm. Sipas, tij mesazhet që dalin nga vepra e Buxhovit e ilustrojnë dhe qartësojnë tendencën e përhershme të hegjemonizmit dhe të megalonisë sllave për të kontrolluar në çdo kusht pjesën më të ndjeshme të Evropës – Ballkanin. “Autori në librin e tij përdorë një qasje realiste në fushën e histografisë, ku më anë të dokumentacionit të pasur arkivorë nga burimet zyrtare gjermane të dorës së parë si dhe ato plotësuese, mbështetë me argumente të bollshme një ngjarje kaq të rëndësishme, jo vetëm për historinë tonë, por edhe atë evropiane në përgjithësi”, ka potencuar Bajraktari.  Ai në fund ka thënë se s’ka dyshim se ky botim do të jetë ndihmesë për studiuesit e shkencës së historisë, të drejtësisë e të diplomacisë sikurse edhe në një spektri më të gjerë fushash. Kurse, publicisti Ramush Tahiri, vlerësoj se libri i studiuesit Jusuf Buxhovit për Kongresin e Berlinit sjellë dokumente origjinale tash edhe në gjuhën shqipe, dhe është një kontribut i madh për studiuesit e ardhshëm dhe për të gjithë ata që në çfarë do forme merren më çështjen shqiptare. “Në këtë Kongres fatkeqësisht përfaqësuesit shqiptar nuk morën pjesë, edhe pse këtu u vendos për fatin e tokave shqiptare dhe popullit shqiptar. Pasojat ishin shumë të rënda dhe ndihen edhe sot. Ndoshta krijimi i shtetit shqiptar në atë kohë kuptohen se historia do të ishte krejt ndryshe dhe shqiptaret në Ballkan do të kishin një rol shumë të rëndësishëm”, ka thënë Tahiri dhe ka shtuar se edhe pse autori mendon se Kongresi i Berlinit megjithatë nuk ishte shumë i keq për popullin shqiptar nga fakti se edhe pse i morën një pjesë të territoreve kompakte kombëtare ai shqiptarve iu dha 35 vjet kohë që të konsolidohen dhe të organizohen për të bërë shtetin kombëtar.

“Shqiptarët si atëherë si tash mbetën më shumë opsione dhe pa program kombëtar. Atëherë u hoqën nga trungu pjesët e trupit kompakte shqiptare edhe tash me decentralizimin dhe me eksterritorialitet të monumenteve ortodokse, po shkëputët territori, atëherë vendosën të huajt pa prezencën e shqiptarve, tash vendosi Kuvendi i Kosovës me miratimin e Pakos së Ahtisarit. Atëherë synohen autonomia e Mirditës, tash synohet identiteti i ri kosovar”, ka deklaruar Tahiri.  Libri i Buxhovit është një kontribut që të mësojmë nga historia të nisemi nga interesat reale dhe afatgjate dhe jo nga kompromiset e momentit. Ndërsa, autori i librit Jusuf Buxhovi, duke i përshëndetur të pranishmit ka thënë se historia edhe më tutje po vazhdon. “Disa dokumente shihen me vonesë dhe me siguri se gjeneratat e ardhshme do të shohin se edhe këto dokumente që nuk shihen sot do të shihen nesër, që do të mund të vlerësohen për kohën dhe të gjitha”, ka thënë Buxhovi. Me rastin e themelimit të 130 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit po ashtu në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare  u hap ekspozita më disa nga botimet më tituj të zgjedhur të librave. Bashkëpunëtori i Institutit të Historisë Frashër Demaj, prezantoj disa nga titujt e këtyre botimeve nga Biblioteka e Institutit të Historisë. Librat kishin të bënin me botime të ndryshme për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Po ashtu është hapur edhe ekspozita e përzgjedhur e fotografive për monumentet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e përzgjedhur nga Parim Kosova.  

Shkruan: Minire BERISHA