17 Qer
Nga: Redaksia e VushtrriaPress-it në: Paralajmërim i ngjarjeve
Prishtinë, qershor 2008 Me ftesë të kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kryeministri Thaçi do ta realizojë vizitën zyrtare në shtetin shqiptar në datat 19 dhe 20 qershor 2008. Gjatë kësaj vizite kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi do të ketë takime me personalitetet më të larta shtetërore të Republikës së Shqipërisë: me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli, me liderët e partive opozitare Edi Rama dhe Ilir Meta, si dhe me udhëheqës të tjerë. Vizita e parë zyrtare në Shqipëri e kryeministrit të Kosovës së Pavarur është një ngjarje e madhe historike e shumëpritur për të gjithë shqiptarët, - thuhet mes tjerash në ftesën e kryeministrit Berisha drejtuar kryeministrit Thaçi. Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, kryeministrit Thaçi në një ceremoni solemne, organizuar nga Bashkia e Tiranës, do t’i dorëzohet Çelësi i kryeqytetit shqiptar. Po ashtu, nga Bashkia e Qytetit të Vlorës, kryeministri Thaçi do të shpallet Qytetar Nderi i Vlorës. VushtrriaPRESS
Komento