Autoritetet serbe pritet t’ia dorëzojnë Tribunalit të Hagës Radovan Karaxhiqin
Karaxhiqi flturun drejt Hagës
Lexoni shumë detaje për rreth fshehjes së kriminelit serb

Beograd(Serbi), korrik 2008-Karaxhiqi pritet të transferohet në fund të kësaj jave në Holandë, për t’u përballur me procesin e tij gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavinë (TPI), e krijuar 15 vjet më parë për t’i gjykuar krimet e kryera nga personat gjatë luftës së Bosnjës të viteve 1992-95.Ish-shefi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i akuzuar për gjenocid, është përpjekur të mërkurën, dy ditë pas arrestimit, ta vonojë transferimin e tij para drejtësisë ndërkombëtare në Hagë, pasi më parë i kishte mashtruar autoritetet, duke u ndryshuar sa nuk njihej dot. Për të fituar kohë, avokati i tij, Svetozar Vujaçiq, ka njoftuar se do të dorëzonte një kërkesë kundër transferimit të Karaxhiqit të premten e ardhshme, dita e fundit e afatit që parashikon ligji për këtë.Nga ana e tij, Karaxhiqi, i cili nuk ka pasur kontakte me të shoqen, Liljana Zelen-Karaxhiq, të bijën Sonja dhe djalin e tij Sasha, gjatë viteve të qëndrimit në ilegalitet, ngul këmbë që t’i takojë para se të dalë në Hagë para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPI), e cila e ka akuzuar para 13 vjetësh për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.Vëllai i tij, Luka, i ka kërkuar të martën Mirosllav Lajcakut, përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnjë, të lejojë të shkojë në Belgjikë familjen Karaxhiq, pasaportat e të cilëve janë konfiskuar në janar.Të martën në mbrëmje, edhe Milorad Dodik, kryeministër i Republikës Srpska (entiteti serb i Bosnjës), i bëri thirrje z. Lajcak ”ta autorizojë familjen e Radovan Karaxhiqit që t’i bëjë vizitë”.”Arsyet për ta ndaluar familjen Karaxhiq që të largohet nga Bosnja nuk ekzistojnë më, pas arrestimit të Radovan Karaxhiqit”, ka deklaruar Dodik për televizionin Shtetëror serb (RTS).Pas dorëzimit të kërkesës së avokatit të Karaxhiqit kundër transferimit të tij, një trup gjykues i Gjykatës së Beogradit për krimet e luftës, sipas ligjit, ka tri ditë kohë për të dhënë përgjigje.I akuzuari nuk mund të paraqesë kërkesa të tjera dhe Ministria e Drejtësisë mund të vendosë atëherë ta transferojë në Hagë.Transferimi mund të bëhet ”gjatë kësaj fundjave ose në fillim të javës së ardhshme”, ka vlerësuar për rrjetin televiziv B92 Bruno Vekariq, zëdhënës i prokurorit për krimet e luftës.Rasim Ljajiq, ministri serb i ngarkuar për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës, ka rikujtuar se Beogradi, që nga koha e rënies së regjimit autoritar të Sllobodan Millosheviqit, në vitin 2000, ka transferuar në Hagë 44 të akuzuar, ndonëse i quan si ”padrejtësi pa asnjë bazë” akuzat sipas të cilave Serbia nuk bashkëpunon sa duhet me drejtësinë ndërkombëtare.”Pas arrestimit të Karaxhiqit këta stereotipa nuk qëndrojnë më”, i ka thënë ai RTS-së. Por disa evropianë duket se nuk janë ende gati ta nxitojnë integrimin e Serbisë dhe kërkojnë ta ruajnë presionin që i bëhet Beogradit për t’i arrestuar edhe të arratisurit e tjerë shumë të rëndësishëm të serbëve të Bosnjës, sidomos Ratko Mlladiqin, bashkëpunëtor ushtarak i Karaxhiqit.Edhe të mërkurën shtypi vazhdonte të habitej nga transformimi i pabesueshëm fizik i Radovan Karaxhiqit, që, i dobësuar, me një mjekër të dendur të bardhë dhe flokë të gjatë të bardhë, tani nuk ngjasonte fare me të parin Karaxhiq.Radovan Karaxhiqi kishte arritur t’i mashtronte gjithë njerëzit rreth e rrotull tij dhe kohët e fundit jetonte në Beograd, në shoqëri të një gruaje rreth 40 vjeç, e identifikuar nga shtypi si Mila.Ai përdorte dokumente të rreme me emrin Dragan Dabiq dhe praktikonte mjekësinë alternative si psikiatër, një profesion që e kishte ushtruar dhe para se të hynte në politikë. Karaxhiq do të mbrohet vetë në procesin gjyqësor në Hagë Radovan Karaxhiq do të mbrohet vetë në gjykatën e Hagës dhe është i bindur se do të dalë i pafajshëm për të gjitha akuzat për gjenocid, deklaruan të mërkurën të afërmit dhe ndihmësit e të dyshuarit për krime lufte.Ai ndodhet aktualisht në një burg të Beogradit dhe pret të ekstradohet, gjë që mund të bëhet këtë fundjavë.Avokati i Karaxhiqit në Serbi, Svetozar Vujaçiq, ka deklaruar se klienti i tij është në gjendje të mirë mendore dhe fizike. Ai nuk po flet me hetuesit, por po “e mbron veten me heshtje”.”Ai do të ketë një grup ligjor në Serbi, por do ta mbrojë veten (pa një avokat) gjatë procesit të tij gjyqësor në Hagë”, ka deklaruar Vujaçiq për agjencinë “Reuters”. Svetozar Vujaçiq , avokat i Karaxhiqit ”Ai është i bindur se me ndihmën e Zotit do të fitojë”, ka shtuar ai.”Ai ka kërkuar t’i presë flokët dhe të rruhet”, ka shtuar Vujaçiq.”Sot pres ta shoh me flokë të shkurtër dhe pa mjekër”, ka thënë ai. Procesi gjyqësor i Karaxhiqit pritet të jetë i shpejtë Me arrestimin e liderit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, prokurorët dhe gjykatësit e OKB-së kanë gjasa të kërkojnë një proces të shpejtë gjyqësor për t’i shmangur proceset e gjata që kanë karakterizuar gjykatën e Hagës në të kaluarën.Karaxhiqi pritet të transferohet në fund të kësaj jave në Holandë për t’u përballur me procesin e tij gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavinë (TPI), e krijuar 15 vjet më parë për t’i gjykuar krimet e kryera nga personat gjatë luftës së Bosnjës të viteve 1992-95.Ekspertët kanë theksuar se prokurori Serge Brammertz dhe skuadra e tij e avokatëve priten të shmangnin një maratonë të tillë si procesi gjyqësor që ka përfunduar përpara kohe dy vjet më parë me vdekjen e presidentit të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviqit në qelinë e tij.Avril McDonald, lektore në Universitetin Groningen dhe specialiste për procedurat e gjykatës, ka deklaruar se Zyrës së Prokurorisë do t’i duhet të zhvillojë një proces gjyqësor të shpejtë dhe të efektshëm, pasi gjykata përballet me një afat për t’i mbaruar të gjitha proceset gjyqësore brenda dy vjetëve të ardhshme.”Procesi gjyqësor nuk ka pse të zgjasë më shumë se një vit”, ka deklaruar McDonald.”Ata do të përpiqen të jepet shpejt një dënim”.Gjatë procesit gjyqësor të Millosheviqit, që zgjati katër vjet, prokurorët thirrën afro 300 dëshmitarë, me një buxhet vjetor që në atë kohë kishte vlerën e më shumë se 270 milionë dollarëve.Karaxhiq me dashnoren e tij Mila Karaxhiq ose “Doktor Dabiq” me një biografi të shpikur në internet Nën emrin Doktor Dragan Dabiq, Radovan Karaxhiq, një nga të arratisurit më të kërkuar në botë, i ndaluar të hënën në mbrëmje, kishte nxjerrë në internet një biografi fiktive, me qëllim që t’i shmangte dyshimet e mundshme të autoriteteve.Në faqen ”dragandabic.com”, Doktor Dabiq ka pohuar veçanërisht se ka lindur rreth “gjashtëdhjetë vjet më parë në fshatin Kovaci, pranë Kraljevos”, qytet rreth 150 km në jug të Beogradit.”Si fëmijë (Doktor Dabiqit) i pëlqente t’i eksploronte pyjet aty pranë, në shoqërinë e gjyshit të tij dhe kalonte shumë kohë në malin Kopaonik”, në jug të Serbisë, është thënë në këtë biografi të shpikur.Doktor Dabiq ka shpjeguar se është larguar nga qyteti i tij i lindjes për në Beograd, përpara se të studionte në Moskë, ku ka marrë një licencë për mjek psikiatër.”Ai udhëtoi më pas për në Indi dhe Japoni përpara se të kalonte pak kohë në Kinë, ku u specializua në metoda të ndryshme të mjekësisë alternative”, është thënë më tej.”Doktori u rikthye në Serbi në mes të viteve 1990 për t’u bërë një nga ekspertët më të shquar në fushën e mjekësisë alternative. Ai jeton në Novi Beograd, rruga Youri Gagarine dhe mund ta kontaktoni në adresën zacelivanjerana@dragandabic.com”, ka saktësuar teksti.Në faqen e tij, Doktor Dabiqi ka vendosur gjithashtu rreth dhjetë proverba, të paraqitura si “kineze”, të tilla si: “Ai që nuk bie dakord me armiqtë e tij, kontrollohet prej tyre”, “Pas çdo burri të aftë, ka burra të tjerë po aq të aftë”, apo më tej ”I mençuri i merr vetë vendimet, injoranti ndjek opinionin publik”.Radovan Karaxhiq, sipas biografisë të tij reale, është lindur në Mal të Zi dhe ka studiuar dhe punuar në Sarajevë, përpara se të futej në politikë.Sipas shtypit, ai ka jetuar kohët e fundit në Novi Beograd, lagje moderne në kryeqytetin serb, i shoqëruar nga një grua rreth të dyzetave, e identifikuar si Mila. Shtypi i huaj për arrestimin e Karaxhiqit Shtypi francez e ka konsideruar të mërkurën arrestimin e Karaxhiqit si një “garanci të vullnetit të mirë” të serbëve ndaj evropianëve dhe shpreson tani në kapjen e “alter egos së tij ushtarak”, Ratko Mlladiq. Serbia që ka arrestuar Karaxhiqin është ”një Serbi ende tepër nacionaliste, por që drejtohet nga demokratët, një vend që po përpiqet të pajtohet pak nga pak me fqinjët dhe po përparon drejt Evropës komunitare”, shkruan “Le Monde” në editorialin e saj.Pyetjes “A duhej që 13 vjet pas masakrës së tmerrshme të Srebrenicës, të këmbëngulej në këtë vullnet ndjekjeje”, që shtrohet nga “ata që mendojnë se harresa është shërimi më i mirë”, Hervé Cannet, i gazetës ”La Nouvelle République du Centre ouest”, i përgjigjet: “Po, sigurisht!” Sepse është e “pamundur ta ndërtosh paqen dhe pajtimin mbi mohimin e të shkuarës”, ka shtuar në po këtë linjë Guillaume Goubert në gazetën “La Croix”.Por gjithashtu, sepse është e “rëndësishme që xhelatët ta dinë se koha e mosndëshkimit ka marrë fund”, nënvizon François Sergent në të përditshmen “Libération”. “Është e rëndësishme për viktimat që xhelatët të ndëshkohen. Pa përjashtim. Pavarësisht se ku janë kryer krimet, në Kamboxhia, Darfur apo Bosnje”.Duke dorëzuar Karaxhiqin, “qeveria e Beogradit jep një garanci të vullnetit të saj të mirë ndaj evropianëve, të ndihmuar për këtë nga populli serb që dëshiron ta kthejë faqen pas afro 20 vjetësh lufte dhe izolimi në skenën ndërkombëtare”, shkruan Patrick Fluckiger në gazetën “Alsace”.Shtypi rus ka vlerësuar të mërkurën se arrestimi i ish-shefit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, “i hapi rrugën” Bashkimit Evropian për Serbinë.”Nëse deri tani këtij vendi i premtohej një perspektivë e vakët evropiane, situata ndryshoi krejt papritur”, shkruante e përditshmja “Vremia Novosteï”.”Funksionarët evropianë në Bruksel e thonë hapur se ky arrestim i ka hapur rrugën Evropës së Bashkuar për Serbinë”, ka vijuar ajo.”Presidenti Boris Tadiq vlerësoi se një person i vetëm nuk mund t’ia priste rrugën vendit për në BE”, ka konstatuar “Izvestia” e afërt me Kremlinin.E përditshmja “Nezavissimaïa Gazeta” ka theksuar se “arrestimi i Karaxhiqit ndodhi pak pas formimit të një koalicioni të ri në Serbi, duke shtuar se ekipi në pushtet është më i orientuar drejt Perëndimit sesa qeveria e mëparshme, që kishte një bërthamë nacionaliste”.Gazeta zyrtare ruse ”Rossiïskaïa Gazeta” mbetet nga ana e saj skeptike, duke theksuar se jo vetëm arrestimi i Radovan Karaxhiqit, por edhe ai dy të kërkuarve të tjerë nga TPI-ja, Ratko Mlladiq dhe Goran Haxhiç, janë ”kushtet kryesore” për pranimin me kohë të Serbisë në BE. Shtypi britanik ka vlerësuar se arrestimi i ish-shefit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, ishte një “sukses” juridik dhe politik për Bashkimin Evropian. “Arrestimi i Karaxhiqit është një sukses i madh për politikën evropiane të +soft poëer+, që konsiston në ndryshimin e sjelljes së një vendi të tretë nëpërmjet bindjes po aq sa dhe nëpërmjet forcës”, ka shkruar “The Guardian”.”Presionet konstante të Evropës ndaj Beogradit dhe perspektiva e një pranimi të mundshëm në BE mund t’i jepnin një fund të lumtur një prej ndjekjeve më të gjata dhe më të kushtueshme të NATO-s”, ka shprehur kënaqësinë gazeta e qendrës së majtë. “Arrestimi i Radovan Karaxhiq (…) është një triumf për vendosjen e shtetit të së drejtës, vazhdimin e drejtësisë dhe ndërtimin e një paqeje të vërtetë në vendet e ish-Jugosllavisë të shkatërruara nga lufta”, ka vlerësuar “Financial Times”.Për të përditshmen e qarqeve afariste, “kapja e gjeneralit Mlladiq mbetet gjithsesi e nevojshme, në mënyrë që Serbia të mendojë për një pranim të plotë në BE”.E përditshmja konservatore “The Daily Telegraph” vlerëson se “meqenëse qeveria e Boris Tadiçit ia doli mbanë aty ku qeveritë e tjera të mëparshme kishin dështuar, ky i fundit duhet përshëndetur dhe inkurajuar”. Sipas “The Independant” (qendra e majtë), “ishte tërheqja për pranim në Bashkimin Evropian dhe kërkesa e ashpër e drejtuesve evropianë që Serbia t’i dorëzonte kriminelët e luftës drejtësisë, që e çuan qeverinë në arrestimin e Karaxhiqit”.
E përgatiti:Lulzim Ahmetin
0 komente