Komeneti i javës:Status Quo-ja e re –rrezik për të ardhmen e vendit
Shkruan:Driton Avdiu, Sekretar për Marrëdhënie me Publikun i Lëvizjes për Bashkim
Nuk është e largët koha, bile na kujtohen fare mirë betimet e përbetimet e politikaneve aktualë se bisedat që udhëhiqeshin me Serbinë nuk kishin të bënin fare me statusin, por me pozitën e “komunitetit” serb në shtetin e Kosovës. Bisedimet vazhdonin, ndërsa pushtetmbajtësit trumbetonin se në këto “bisedime teknike” nuk po bisedohej për statusin. Por çfarë doli nga këto bisedime të njohura? Doli një pako, në fakt një propozim-pako, e cila kishte referenca ekskluzive në raport me shtetin e ardhshëm që do të dilte nga ajo pako dhe që në fakt e gjymtonte që në themel funksionalitetin e këtij shteti. Pra, me një fjalë, prekte drejtpërdrejt në statusin e Kosovës.Shkëputja juridike e Kosovës nga Serbia pas 17 shkurtit është vërtet arritje që duhet të përshëndetet, por nga ana e pozitës ndërkombëtare të Kosovës pas kësaj date, ky akt krijoi një ndërlikim edhe më të madh institucional dhe juridik, me efekt të drejtpërdrejtë praktik edhe në jetën e qytetarëve të Kosovës. Kjo mund të mbështetet në një fakt të thjeshtë: në efektin që ka ky status jo i njohur si shtet i pavarur nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo ndikon në procesin e përafrimit të Kosovës drejt mekanizmit të stabilizim-asociimit. Këtu nuk po flasim për kushtet praktike që duhet t’i përmbushë Kosova në kuptim të plotësimit të kritereve te veta të brendshme ekonomiko-politike që shtron ky proces para secilit vend-kandidat, por për pengesat serioze politike që dalin në këtë rrugëtim për shkak të mosnjohjes së Kosovës si shtet nga së paku pesë shtete anëtare të bllokut.Tani edhe pse de jure e pavarur nga Serbia, pas shpalljes së pavarësisë së mbikëqyrur, të kushtëzuar dhe të kufizuar (gjithmonë sipas Pakos së Ahtisaarit e cila konfliktin shqiptaro-serb e lë të pazgjidhur në thelbin e tij), prania e misioneve civile ndërkombëtare në Kosovë vetëm sa shtohet në numër dhe raportet ndërmjet tyre janë të papërcaktuara akoma qartë edhe sot e kësaj dite. Përveç kësaj, rikonfigurimi i tërë i pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë (sepse është absurde të pretendohet që po rikonfigurohet vetëm UNMIK-u, por bashkë me të edhe ICO dhe EULEX-i, përderisa këta tre mekanizma po krijojnë raporte te reja ndërmjet tyre që nuk ishin të parapara madje as sipas zgjidhjes së propozuar të Ahtisaarit), në njëfarë mënyre po ia hap derën gjashtë kërkesave të ish-ministrit serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq të drejtuara në adresë të Ban Ki Munit, për t’iu ndalur në ndihmë “nevojave të komunitetit serb” në gjashtë fusha kyçe që shkojnë në një vijë me “ndarjen funksionale” ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.Pra, as ndarja e sanksionuar sipas Pakos së Ahtisaarit në mes të popullit shqiptar dhe pakicës serbe, sado që është e thellë dhe e ashpër, sipas pikëpamjes së zyrtarëve serbë nuk garanton mbrojtje të mjaftueshme të interesave të pakicës serbe në Kosovë. Prandaj Serbia shkon edhe një hap më larg. Dhe çka është më interesantja, për ta bërë këtë hap Serbia përdor elemente që gjenden nëpër tërë pakon e propozuar të Ahtisaarit. Pikërisht rreth këtyre pikave pritet të përqendrohen tani bisedimet e reja “teknike” ndërmjet Republikës së Serbisë dhe autoriteteve të Kosovës dhe që do t’i “facilitojë “(lexo shqip: lehtësojë, ndihmojë) shefi ri i UNMIK-ut Lamberto Zanier, një diplomat karriere i specializuar me diplomë akademike në parandalimin e konflikteve.Duke qenë më shumë dëgjues dhe zbatues të “këshillave të miqve ndërkombëtarë”, duke mos ofruar asnjëherë në këto nëntë vjet që nga paslufta e këndej asnjë nismë, ide apo platformë e cila do të ishte ndryshe nga dëshirat dhe interesat e ndërkombëtarëve dhe e cila do të ishte në funksion të interesave të përgjithshme por edhe të përditshme të qytetarit te Kosovës, veprim ky që do të ishte më se normal për përfaqësues të denjë të popullit, - udhëheqësit e institucioneve të Kosovës po hyjnë në një valle ku nuk do t’i kenë gjithmonë afër për t’i mbajtur për dore “miqtë ndërkombëtarë” (fundja deklarojnë gjithnjë se përfaqësojnë një shtet të pavarur dhe Sovran). Pra po futen në një terren mjaft të rrëshqitshëm dhe të paparashikueshëm politik, pasojat e të cilit përsëri do t’i vuajë më së shumti populli shqiptar i Kosovës. Natyrisht se as këto “bisedime teknike” nuk mund të jenë të frytshme, sikurse ato të parat, por ekziston mundësi reale që kryetari dhe kryeministri i Kosovës, duke mos bërë asgjë, përveç fjalëve dhe deklaratave dhe duke vazhduar dëgjueshmërinë e pafund dhe të pakusht ndaj “miqve ndërkombëtarë”, të forcojnë rrethana të një status quoje të re, e cila vetëm sa do ta thellojë mjerimin ekonomiko-social, ngecjen e vazhdueshme në zhvillimin e përgjithshëm politik, kulturor e shëndetësor të shoqërisë së lodhur të popullit shqiptar të Kosovës, në njërën anë, dhe do t’i mbajë të gjalla, e bile edhe do t’i rrisë orekset serbomëdha ndaj Kosovës në një moment të volitshëm për Serbinë, në anën tjetër.Kjo status quo, jo vetëm që nuk iu shkon për shtati interesave të vendit në tërësi, por as vendosjes së një stabiliteti të qëndrueshëm e afatgjatë në këtë kënd të Evropës Juglindore në përgjithësi. Por duke shkelur kaherë në interesat kombëtare e publike, këto figura dyshoj se do të jenë në gjendje ta bëjnë ndonjë kthesë për të mbarë. E këtë kthesë mund ta bëjnë vetëm njerëzit e pakënaqur të Kosovës që nuk janë pak, të organizuar në subjekte që nuk mund ta pranojnë vazhdimin e mospërfilljes së vazhdueshme të interesave të qytetarëve tanë.Ky shkrim nuk shpreh qëndrimet e VushtrriaPRESS-it.
0 komente