“Misto Mame” i shtohet rrjetit të shkollave moderne
Foto:Shkolla Misto Mame
Tiranë(Shqipëri), korrik 2008-Zyra e informacionit pranë Bashkisë së Tiranës, ka bërë të ditur për VushtrriaPRESS,se në listën e objekteve të rikonstruktuara tërësisht shtohet edhe shkolla “Misto Mame”. Pas prerjes së shiritit përurues, kryebashkiaku Edi Rama ka bërë të ditur para mediave se në Tiranë po ndërtohen “shkollat e së ardhmes”. Investimi prej 850 mijë eurosh u bë i mundur nga një kredi e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës. Ky objekt është tërësisht i ri, me një arkitekturë të re dhe një godinë prej katër katesh. Shkolla ka një kapacitet prej 700 nxënësish dhe përmban të gjitha mjediset e nevojshme për zhvillimin e mësimit në kushte bashkëkohore.Shkolla disponon tashmë 17 klasa mësimore, 4 laboratorë, një bibliotekë 90 m2, një sallë për administratën 103 m2, sallë polifunksionale 100 m2, mjedise ndihmëse 30 m2, nyje sanitare 165 m2 si dhe një palestër 502 m2.Shkolla e re është pajisur me shkallët e emergjencës, ndërsa për fëmijët me aftësi të kufizuar janë zbatuar rampat e hyrjes në shkollë e palestër si dhe nyjet sanitare në katin përdhe.Shkolla “Misto Mame” gjendet në “Rrugën e Dibrës” pranë Medresesë, në Njësinë Bashkiake Nr. 8. VushtrriaPRESS
0 komente