VushtrriaPRESSVushtrriaPRESSVushtrriaPRESS

Shkruan:Ramiz Lushaj

Kosovën, në 8 muaj, (18 shkurt – 7 gusht) E kanë njohur  njohur si shtet i pavarur e sovran 45 shtete të  botës, nga  192 vende antare në OKB. Përndryshe  23.44 për qind e tyre.Kjo nuk është pak po të kemi parasysh tre fakte: politik, ushtarak e ekonomik.Fakti politik: Është njohur nga 3 shtete antare të përhershshme të Këshillit të Sigurimit  (60 për qind e tyre), nga të gjitha vendet e G-7, nga  5 shtete antare të përkohshme të Këshillit të Sigurimit (50 për qind e tyre), nga 20 shtete antare të Bashkimit Europian ( 74.07 për qind e tyre), nga 31 shtete antare të OSBE (55.36 për qind e tyre), nga 29 shtete antare të Këshillit të Europës (61.7 për qind e tyre), etj.    

          Fakti ushtarak:  Është njohur nga  80.77 për qind e  26 shteteve antare të NATO-s, (21 prej tyre), organizatës politiko-ushtarake më të madhe të planetit e të të gjitha kohërave.         Fakti ekonomik: Shtetet që  e kanë njohur deri më tani  përbejnë 70 për qind të GDP (Prodhimit Kombëtar Bruto) botërore. 

          Mirëpo, në rast se për pranimin e Kosovës në disa organizma të mëdha euro-atlantike duhet njohur nga 100 për qind e tyre, për t’u antarësuar në OKB duhet të jenë  2/3 e tyre.  Përndryshe: nga 192 shtete duhet ta njohin 128 prej tyre. Natyrisht kjo merr kohë, ndoshta duhet të presim  vjeshtën e vitit 2009. Kjo mvaret terësisht sa nga faktori shqiptar në Ballkan, por, më së shumti nga vet 5 shtetet e mëdha, që e kanë në administrim sektorial Kosovën (në kuadër e me mandat të UNMIK) si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, por edhe nga vet  Bashkimi Europian, Grupi i Kontaktit, etj.           

   Çështja shtrohet ndryshe, nisur nga kushtet e rrethanat e pritshme apo të mundshme:  A mund të bllokohet njohja e mëtejshme e  Pavarësisë së Kosovës nga  Federata Ruse, Republika e Serbisë e aleatët e aleancat e tyre të vjetra e të reja. Marrim rastin më të keq. Sikur këto të ndërmarrin në skenë e prapaskenë nismën për të sponsorizuar në Sesionin e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, në shtatorin e këtij viti (2008) një Rezolutë me 64 apo 65 shtete, që nuk duan ta njohin Kosovën Shtet të Pavarur e Sovran, atëherë çdo të ndodhte? Kosova do të haste, më saktë do të ndeshej, me vështirësi të jashtëzakonshme. Përndryshe: më e pakta, do të kishim një bllokim të ecurisë së saj drejt  antarëesimit të premtuar e planifikuar për në OKB.

       Nënvizojmë një fakt të njohur: Tajvani është shtet moshatar me vet OKB-në, por deri më sot është i njohur zyrtarisht vetëm nga 23 shtete të botës. Realisht ka dalë dhe po mbetët jashtë OKB-së, që ishte një ndër themelueset e saj. Ndikimi kinez e ka bllokuar. Në stadin që është e në kuotat që do të arrijnë Kina e vështirëson së tepërmi çështjen e Tajvanit. Njëkohësisht e frenon edhe rasti Hong Kong e Makao të një Kine me dy sisteme. Natyrshëm Tajvani do të mbetet i bllokur midis dy sistemeve: Kinës komuniste e Botës Demokratike.

           Sigurisht Kosova nuk është Tajvan, por rasti  Tajvan nuk duhet të përseritet me Kosovën. Kjo kërkon që të dobësohet deri në frenim ndikimi Rus, aleanca ruso-serbe,  për çështjen e Kosovës.

             Në këtë rast po sjellim edhe një shembull tjetër: Palestina ka përfaqësi diplomatike të saj në të gjitha kontinentet e botës, biles më shumë se mbi 30 për qind e vende antare të OKB-së.  Ka statusin e vëzhguesit në OKB. Mirëpo nuk është antare e OKB-së, nuk është njohur ndërkombëtarisht si shtet i pavarur e sovran. Natyrisht Kosova nuk krahasohet me Palestinën, por duhet të bëjnë diçka më shumë se Palestina, pasi ka disa muaj që deklaron se do të  caktojmë 10 ambasadorë, i ka deklaruar dhe shtetet përkatëse, por nuk ka hedhur ende asnjë hap. Kjo është e pafalshme, por as nuk mund të themi: “Fali Zot se nuk e dijnë se ç’bëjnë”! Askujt nuk kanë pse e si t’I fallen përveç pakujdesisë e paaftësisë së tyre…! 

             Çështjen e vështrojmë edhe ndryshe: Të gjithë aleatët e faktorët e njohur të Pavarësisë së Kosovës a mundet të arrijnë të kapin deri në shtator 2008  numrin 64 të shteteve që e kanë njohur Kosovën. Sigurisht që po. Deri tani janë 45. Mbeten vetëm 19 shtete. Po u arritë kjo kemi një garanci për mosbllokim të mundshëm dhe siguri për një antarësim të pritshëm të Kosovës në OKB në vitin 2009. 

          Një pyetje: A mund të arrihet kjo?

           Një përgjigje: PO.          

         Në radhë të parë parë: Sigurimi Vertikal i Njohjes së Pavarësisë së Kosovës.

             Bashkimi Europian, që po e merr seriozisht e gradualisht përsipër  Kosovën, “Modelin e Vet”, me misionin EULEX, përveç angazhimit të tij për një njohje horizontale nga të  27 shtetet e tij, mund të punojnë për sigurimin vertikal të njohjes së Pavarësisë së Kosovës.  Deri tani e kanë njohur 20 shtete. A mund të bëhen  së shpejti 22 apo 23. Sigurisht. Është Malta në këtë rrugë, Greqia po i afrohet, por edhe Portugalia nuk po i largohet. Njëkohësisht edhe NATO, që ndodhet e pranishme në mënyrë kontributive me KFOR-in,  mund të bëjnë më shumë me Portugalinë. Kjo pritet edhe me OSBE e me Këshillin e Europës.

          Kosova është një problem e angazhim planetar, por në rradhë të parë është zgjidhje e meritë euro-atlantike.

                  Në rradhë të parë: Njohja rrethore rajonale e Pavarësisë së Kosovës.

                  Në arenën ndërkombëtare, për Kosovën, është mjaft e rëndësishme ta njohin fqinjët e saj rajonal. Deri tani e kanë njohur Shqipëria, Turqia, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria e Hungaria.

                Rrethi i parë nuk është mbyllur: Kosovën, ndër fqinjtë e saj kufitarë e ka njohur vetëm Shqipëria. Mbetët edhe Maqedonia e Mali i Zi, që premtojnë për një njohje të afërt. Faktori Shqiptar ka ende punë për të bërë, si në Shqipëri, Kosovë edhe në këto dy shtete fqinjtë. Nuk pritet njohja e Serbisë. Kjo do të jetë e fundit. Por rrethi, me këto tre shtete paraquhet i mbyllur dhe vlerësohet mjaft mga shtete të tjera të botës për njohjen periodike e të shpejtë të Pavarësisë së Kosovës.

                Rrethi i dytë ende nuk është mbyllur terësisht. Bëhet fjalë për Republikën e Serbisë.  Kroacia, Sllovenia, Hungaria e Bullgaria e kanë njohur Kosovën, por mbetet ende edhe Rumania kundërshtare dhe Mali i Zi ecje ngadaltë.Kosova është pjesë sferike e këtij rrethi. Bosnje-Hercegovina është brenda këtij rrethi, por pritet kohë për ta ngushtuar më tej.

                Rrethi i tretë, më i madhi, është ai rajonali. Shqipëria e Kosova, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Maqedonia e Greqia, por edhe Turqia. Mbyllja e këtij rrethi do ta detyronë në rradhë të parë Bosnje-Hercegovinën, por, më pas, më vonë, edhe Republikën e Serbisë, ta njohin patjetër Kosovën. Mbyllja e këtij rrethi është dhe mbyllja e njohjës përfundimtare të Kosovës, si shtet i pavarur e sovran.

                 Në rradhë të parë: Zbutja, mënjanimi e frenimi i ndikimit rus, sa të  jetë e mundur dhe në përditshmëri e me shpejtësi.

                Patjetër duhen krijuar  “të çara” në Bashkimin e Shteteve të Pavarura (CIS), pasi asnjë nga 12 shtetet antare nuk e ka njohur ende Pavarësinë e Kosovës.  Për vetë epërsinë ruse e për vetë problematikat e tyre etnike, Kosovën e kanë të vështirë ta njohin shpejt  disa prej tyre, por mund të punohet me ato shtete që janë pro-atlantike.

                Medoemos kërkohet që të shkëputen nga ndikimi rus i kahershëm dhe i sotëm i disa shtete në Afrikë, Azi e Amerikën e Jugut, etj. Nuk janë pak, por direkt apo indirekt, ballas apo me infiltrime, Federata Ruse ka ndikimin e vet në mbi 50 shtete të botës. Këto, në mënyrë zinxhirore , si aleatë të Rusisë apo pro saj, si aleancë sllave apo ideologjike, si lidhje ushtarake apo ekonomike, ndikojnë në vonimin e frenimin e proçesit të pandalur të njohjes së Pavarësisë së Kosovës.

                Në rradhë të parë duhet të  punojmë me shumë shtete antare të NAM ( Non-Aligned Movement), që ndodhet nën ndikimin praktik e nostaligjik të Jugosllavisë së dikurshme të Titos e infiltrime dirigjisuese të Bashkimit Sovjetik të dikurshëm. Këtë organizëm, me 118 vende antare e 16 vëzhguese, e themeluan në mesin e shek. XX, Tito në Jugosllavi, Nehru në Indi, Sukarno në Indonezi, Nkrumah në Gana, ku Sekretar i Përgjithshëm i saj në vitet 1961 – 1964 ishte Tito dhe sot është dinastia Kastro në Kubë ( 2006-2008). Samitin e parë e ka mbajtur në Beograd më 1-6 shtator 1961 dhe më të fundit, Samitin e 14-të, në Kubë, më 15-16 shtator 2006. Shumë vende islamike, afrikane, aziatike e amerikano-jugore e veriore dhe në Oqeani ruajnë ndikimin nostalgjik për Jugosllavinë e dikurshme të Titos, për Titon, për Rusinë, etj. dhe mbeten ende kundër Pavarësisë së Kosovës. Sot, Serbia ka statusin e vëzhguesit në NAM (si edhe Kina, Bosnje-Hercegovina, etj.), por ka “status” të të privilegjuarit nostalgjik, si në Indi, Indonezi, Ganë, Egjypt, etj. etj.

                Kosovës, miqëve e aleatëve të saj, iu mbetet ende për të bërë në proçesin e njohjes së statusit të Kosovës si shtet i pavarur e sovran duke u përballur me “Aleancën e Shenjtë” Ruse (CIS) e Serbe, etj. dhe me një pjesë të grupimit politik e ideologjik ndikues “NAM”, të bashkëthemeluar e drejtuar edhe nga Tito.

                Themi për të gjitha rastet në rradhë të parë,se për Kosovën, për njohjen e Pavarësisë së saj deri në antarësim në OKB e organizma të tjera ndërkombëtare, nuk ka rradhë të dytë e të tretë apo të katërt. Dhe në rradhë të parë, në ballë e në finale, duhet të jenë Faktori Shqiptar e Faktori Euro-Atlantik, secili me rëndësinë e përparësinë e tij.

                  Gjithçka duhet ecur  drejt tejkalimit të 64 shteteve që e njohin Pavarësinë e Kosovës. Deri tani thamë se janë 45, por duhen edhe 19. Nuk janë shumë po të kemi parasysh se disa shtete janë në këtë udhëecje si Maqedonia e Mali i Zi, Malta,  Greqia e Portugalia, , Arabia Saudite e Katarri, Bangladeshi e Malajzia, Andorra e Bahraini, etj.    

             Gjithçka duhet konceptuar e reflektuar sikur në shtator 2008 do të ketë një kundërvënie ballancuese, frenuese e bllokuese nga Rusia, Serbia, etj. në  lidhur me Pavarësinë e Kosovës, në Sesionin e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtatorin e vitit 2008.             Prandaj në shtator Kosova duhet të hedhin shtatlartësi me mbi 64 vende që e njohin Pavarësinë e saj, që të mos kthehet në “shtatore” nga ngricat ruso-serbe e aleatët e tyre strategjik, politik, ieologjik, ekonomik, ushtarak e nostalgjik.

Vërejtje: Komentet dhe opinionet e botuara në VushtrriaPRESS,nuk shprehin qendrimet  e VushtrriaPRESS-it!