VushtrriaPRESS 

Prishtinë, gusht 200- Ministrja e Drejtësisë znj. Nekibe Kelmendi vizitoi sot Njësitin për Transport të të Burgosurve në Qendrën Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan. Qëllimi i realizimit të kësaj vizite ishte njohja për së afërmi me kompetencat që i janë transferuar Shërbimit Korrektues të Kosovës nga UNMIK-u, për transportin e të burgosurve dhe të paraburgosurve. “Siç po e shihni veç ka filluar transferimi i kompetencave nga UNMIK-u dhe po realizohen synimet tona që një ditë t’i marrim të gjitha funksionet dhe të gjitha detyrat në duart tona”, theksoi Ministrja Kelmendi gjatë kësaj vizite. Ministrja Kelmendi u interesua të dijë se si po funksionin ky Njësit dhe me çfarë problemesh apo vështirësish ballafaqohen, ka njoftuar Zyra për Informim pranë kësaj ministrie. Ministria e Drejtësisë, e cila ushtron mbikëqyrjen ekzekutive në gjithë Shërbimin Korrektues të Kosovës, është angazhuar që ta bëj trajnimin e stafit të njësitit për transportin e të burgosurve. Stafi është trajnuar në Shkollën Policore në Vushtrri dhe trajnimi i tyre në koordinim me SHPK-në do të vazhdoj edhe në të ardhmen. Veturat, të cilat janë të specializuara për transportin e të burgosurve, janë me standarde shumë të larta dhe iu përgjigjen nevojave për transport, por edhe standardeve ndërkombëtare që do të thotë se të burgosurit tani e tutje do ta kenë një qëndrim më komod nëpër këto vetura dhe transporti do të bëhet në mënyrën më profesionale, përkitazi me personat që janë të angazhuar në këtë njësit, të cilët kanë kryer aftësimin profesional për të shërbyer në njësitin e transportit. “Të gjithë trajnuesit që e kanë aftësuar këtë staf janë kuadro të Shërbimit Korrektues të Kosovës, që do të thotë se SHKK-ja ka kuadro të afta dhe të specializuara edhe për të mbajtur trajnime për këtë njësit, i cili së shpejti duhet të zgjerohet dhe t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe nevojat e gjykatave dhe të prokurorive, si dhe të organeve tjera të cilat merren me hetime për transportin e të paraburgosurve”, shtoi Ministrja Kelmendi.Gjithashtu, ky staf është pajisur edhe me armë të shkurtra (Glock) dhe armë të gjata (MP5), si dhe me pranga dhe varësisht nga rrezikshmëria e të paraburgosurit edhe masat do të jenë adekuate me shkallën e rrezikshmërisë së personit, i cili është duke u transportuar.Bartja e kompetencave nga Policia e UNMIK-ut në Shërbimin Korrektues të Kosovës, për transportin e të burgosurve ka kaluar në katër faza. Në fazën e parë është bërë njoftimi i institucioneve relevante për fillimin e tranzicionit nga Policia e UNMIK-ut në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Faza e dytë, është transportimi i të burgosurve, që konsiderohen me rrezikshmëri të ultë. Në fazën e tretë është bërë transportimi i të burgosurve me rrezikshmëri të mesme, ndërkaq transportimi i të burgosurve me rrezikshmëri të lartë është bërën fazën e katërt. VushtrriaPRESS