Peticion për kthimin e eshtrave të Shotë Galicës në Galicë të Vushtrrisë
Letër e hapur Institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës e të Shqipërisë
NA KTHENI ESHTRAT E SHOTË GALICËS NË GALICË
Presidenntit të Republikës së Kosovës, z Fatmir Sejdiu
Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi
Qeverinë e Kosovës z. Hashim Thaçi
Qeverisë së Shqipërisë, z. Sali Berisha
Parlamentin e Kosovës- z. Jakup Krasniqi
Parlamnetit të Shqipërisë, znj. Jozofina Topalli
Shumë të respektuar pushtetarë!
Ne, poeteshat shqiptare, të mbledhura nga të gjitha trojet tona etnike në festivalin gjithëkombëtar të poezisë “Takimet e poeteshave shqiptare 2008”, në qytetin e lashtë të Vushtrrisë, i bëmë një vizitë edhe Kompleksit Përkujtimor “Azem e Shotë Galica” në Galicë dhe kur e pamë varrin e zbrazët të heroinës Shotë Galica ngelëm të habitura. E shihnim me sy e nuk donim ta besonim një gjë të tillë! Diçka tepër shqetësuese që sikur na fanitej duke na rënduar në ndërgjegjen tonë si një mallkim i madh historik.Dhe, bazuar në fakte konkrete vlerësuam se këta dy luftëtarë meritojnë më shumë. Veprimtaria e tyre luftarake e atdhetare është thuajse unikate. Pesëmbëdhjetë vjet luftëra, qëndresë e heroizëm dhe ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston një lapidar a shtatore e mirëfilltë për këta dy heronj të kombit!!! Madje, as kulla e tyre, që ishte simbol dhe sinonim i gjithë rezistencës sonë kombëtare nëpër shekuj, nuk po mund të jetësohet!!! Aq më keq, këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë, të cilët mezi arriti t’i ndajë vdekja, edhe sot e kësaj dite janë të ndarë!!!
Zotërinj të nderuar pushtetarë!
Duke iu bashkangjitur nismës së mëhershme të Këshillit Organizativ për të njëjtin problem, kërkojmë nga Ju që, urgjentisht e në mënyrë institucionale dhe shtetërore, të ndërhyni tek homologët tuaj të shtetit shqiptar dhe me autoritetin Tuaj të ndikoni e të bëni të mundur lejimin e sjelljes së eshtrave të motrës sonë, heroinës Shotë Galica, me të cilën mburret gjithë kombi shqiptar, pranë bashkëluftëtarit dhe bashkëshortit të vet, Azem Galica, në Galicë, aty ku e zhvilloi betejën vendimtar e ku, tash e katër vjet e pret varri i zbrazët! Kur e bëjmë këtë kërkesë, nuk jemi nisur nga shpirtngushtësia e përvetësimit të këtyre figurave madhore kombëtare. Jo. Shteti shqiptar ka bërë mjaft për ta, i ka shpallur HERONJ TË KOMBIT dhe ata tashmë i përkasin gjithë SHQIPTARISË! Përkundrazi. Jemi nisur thjesht nga ndjenja e pastër e idealit të tyre, që, ashtu siç qenë në jetë- TË PANDARË, edhe sot në amshueshmëri e në LIRI të pushojnë TË PANDARË! Tekefundit, ky bashkim zemrash, eshtrash e idealesh ka simbolikë edhe më të thellë: Ai është amaneti i Tyre dhe paraprakisht nënkupton BASHKIMIN TONË KOMBËTAR!!!Në emër të gjithë pjesëmarrëseve poetesha gra, që pushkën e Shotë galicës e kanë shndërruar në pushkën e mendjes, për të shlruar dhimbjen e nënave shqiptare kudo ndodhen. Shotën e pret bashkëshorti i saj Azem Galica, dhe s’mund të qëndrojë e vetmuar nën rrënojat e shkatërruesve të eshtrave të saj, në Shqipëri ( kur shpeshherë monumenti i Shotë Galicës ka qenë pjesë e kronikave për shkatërrimin e saj). Zëri ynë, si vajza, si gra, si motra, si nëna, si krijuese, i cili doli fuqishëm e natyrshëm nga zemra dhe arsyeshmëria, nuk do të pushoi përderisa kjo heroinë nuk vjen aty ku e ka vendin, në Galicë, pranë burrit të saj, pranë Azem Galicës!!! Ndaj, PENA e heroinave të mendjes, pjesëamarrëse në këtë festival gjithëshqiptar, nënshkruan dhe firmos këtë peticion. Shpresojmë që kërkesa jonë do të merret në konsideratë nga shteti i ri i Kosovës, të cilët kanë obligime ndaj luftëtarëve të lirisë dhe shteti shqiptar për heronjtë e kombit të tij.
0 komente