Agjencia e Pavarur e Lajmeve VushtrriaPRESS

Kontaktoni Redaksinë: vushtrriapress@hotmail.com

Komenti i javës: Paga të (pa)Merituara  

 VushtrriaPRESS

Shkruan:Driton Avdiu*

Faktet janë të çuditshme. Ato janë kokëforta. Ato janë të pamëshirshme. Dhe sidomos janë të çuditshme, kokëforta e të pamëshirshme kur ato janë të mbështetura, të dukshme e të prekshme. Është fakt se presidenti i Kosovës deshi ta paguajë veten e vet sa 85 pensionistë në kuadër të një muaji kalendarik. Është fakt se deshi ta paguajë veten e vet sa 15 policë të policisë së Kosovës që çdo ditë ndeshen me vështirësi të shkallëve të ndryshme, prej lëndimeve në punë që mund t’i lënë përjetësisht në karrocë, e deri në përballje me vdekjen. Është po ashtu fakt që një mjek, qoftë i emergjencës, i kirurgjisë apo i cilësdo lëmë specialistike në mjekësi paguhet pothuajse 15 herë më pak se presidenti, apo rreth 10 herë më pak se sa paga e parapërgatitur e  kryeministrit në bazë të një projektligji që e pa dritën e opinionit publik. Këto janë fakte. Dhe fakte të tilla mund të rendisim sa të duash: arsimtarët e profesorët, ata me gjendje sociale… Po të papunët?!!

Tani le t’i peshojmë këto fakte me ato që presidenti u mundua t’i paraqiste si fakte në konferencën e shtypit të mbajtur në prani të ambasadorit të ri italian në Kosovë.

Tentimi për ta arsyetuar presidenti veten për këtë pagë superastronomike që ai e deshi për veten e vet, - me hyrje-daljet e panumërta në shtëpinë e tij private, me pritje-përcjelljet e shumta që po iu bëka tani, pas shpalljes së pavarësisë, delegacioneve të huaja që po e vizituakan po në shtëpinë e tij, me “argumentin” se po jetuaka në bashkësi familjare me vëllezërit tjerë dhe se për shkak të kësaj ngarkese tepër të madhe edhe e shoqja qenka larguar nga marrëdhënia e punës, - gati sa nuk na bëri të qajmë. Gjithashtu presidenti u përkujdes edhe për një nonsens tjetër. Me peshoren e presidentit të Kosovës, 3100 euro sa mori në gusht janë të krahasueshme me rreth 200 euro të shërbyesit civil të Kosovës, që po ashtu mori në gusht dhe vazhdon t’i marrë akoma. Pa diskutim se kur Presidenti i Kosovës e ka krahasuar pagën e tij me atë të shërbyesve civilë, e ka pasur parasysh “punën shumë të madhe që ai po e kryen për Kosovën dhe të ardhmen e vendit”.

Kjo përpjekje për mbrojtje e presidentit tregon jo vetëm nivelin e tij si politikan, por mbi të gjitha nivelin e tij si njeri, i cili së paku në Kushtetutë thuhet se përfaqëson simbolin e unitetit të popullit. Por në bazë të pagës mujore të presidentit në njërën anë dhe në bazë të gjendjes ekonomiko-sociale të pjesës dërrmuese të popullit të Kosovës në anën tjetër, që në bazë të të ardhurave mujore janë vërtet të pakrahasueshme me njëra-tjetrën, duket qartë se ky president nuk e simbolizon këtë unitet të sanksionuar në Kushtetutë. Tani së fundmi, si rezultat i një reagimi të fuqishëm të opinionit publik, presidenti e bëri një hap prapa dhe e ktheu pagën e tij në nivelin e mëparshëm prej mbi 2000 eurosh, por përsëri pa dhënë asnjë shenjë reflektimi për këtë gaf, duke u tallur me ndjenjat e popullit, në kuptimin: “Në qoftë se kalon, mirë; përndryshe, vazhdojmë me të vjetrën”!

Dhe nuk është vetëm presidenti ai të cilin e mundi lakmia: kryeministri, ministrat e zëvendësministrat me krejt suitat e tyre, deputetët… , disa dhjetëra duzina pushtetarësh të mbytur edhe deri tani në privilegje të llojllojshme, me makutëri të paparë kërkojnë shtimin e këtyre lukseve për vete. Dhe ku? Në një vend ku varfëria e mjerimi social e ka katandisur aq keq shoqërinë, saqë skicat e Migjenit janë pasqyra më e mirë e saj.Gabimit të pafalshëm të presidentit i përgjigjet heshtja e plotë e kryeministrit dhe e zyrës së tij, por është shumë interesante se as e ashtuquajtura opozitë nuk u bë e gjallë. Kjo tregon një të vërtetë të thjeshtë dhe të pakundërshtueshme: degradimin e plotë moral e njerëzor të kastës aktuale politike, shkëputjen e tyre të plotë nga vështirësitë e jetës së zakonshme të qytetarit të Kosovës dhe keqpërdorimin e paskrupullt të votës dhe të besimit të tij. A mund të quhen këta përfaqësues të popullit kur ata me shumicën dërrmuese të popullit nuk e kanë as edhe një element të vetëm të përbashkët, përveç përkatësisë së tyre kombëtare. Madje, edhe këtë të fundit – elementin e përkatësisë së përbashkët kombëtare, ka të ngjarë që një pjesë e kësaj kaste politike pas 17 shkurtit 2008 ta mohojnë… Kështu nuk kemi pse të çuditemi kur përkatësinë e tyre kombëtare ta zëvendësojnë me “përkatësinë shtetërore”, përkatësisht t’i prijnë procesit të shpikjes së kombit të ri - atij kosovar.Në njërën anë pushtetarët – në anën tjetër populli.

Së paku, le të shihet hendeku ndërmjet tyre.

 

Shkruan:Driton Avdiu (*Sekretar për Marrëdhënie me Publikun i Lëvizjes për Bashkim)

Vërejtje: Komentet dhe opinionet e botuara në VushtrriaPRESS,nuk shprehin qendrimet  e VushtrriaPRESS-it!

Nga : vushtrriapress@hotmail.com

11 Shtator 2008 më 10:15 am

Komento