Agjencia e Pavarur e Lajmeve VushtrriaPRESS

Kontaktoni Redaksinë: vushtrriapress@hotmail.com

Komenti i javës:Konstatimi qesharak  

VushtrriaPRESSShkruan:Ramadan Ilazi

Drejtori i suspenduar i Doganës, z.Huruglica do të rikthehet në postin e tij pas një vendimi të Komisionit Hetues që konstatoi se, udhëheqësi i doganës së Kosovës nuk ka pasur përgjegjësi direkte ligjore me rastin e importimit të tri maunave të vajit dysulfurik në Kosovë. Ky konstatim, ka vetëm një të vërtet, që nuk është vetëm faji i Drejtorit të Doganës së Kosovës por edhe UNMIK-u ka përgjegjësi institucionale. Mirëpo, vendimi është qesharak kur konstaton që drejtori i doganës së Kosovës nuk ka asnjë përgjegjësi “direkte” për përmbushjen e përgjegjësive nga ana e këtij institucioni, detyrë të cilën e ka me kontratë. Më tutje, ky vendim nënkupton që z.Huruglica ka përgjegjësi indirekte por jo direkte, që përsëri është një përgjegjësi! Ose që:
1) z.Huruglica, ka ditur për ardhjen e tri maunave por nuk ka bërë asgjë sepse nuk ka pasur përgjegjësi? Që përsëri i bie që ka bërë parregullsi sipas Kodit Penal, sepse ti je fajtor nëse je në dijeni të ndonjë parregullsie dhe nuk vepron për ta penguar, apo;
2) Që z.Huruglica nuk ka pasur idenë se çfarë po hyn e po del nga Kosova?!
Po kjo, a nuk paraqet akt të neglizhencës dhe pa-përgjegjësisë bazë mbi të cilën kryeministri Thaçi largoi drejtorin e Zyrës për Informim të Kryeministrisë?! Gjithashtu ku po mbetet shembulli i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, z. Fatmir Rexhepi i cili dha dorëheqje morale për shkak të pasojave të Protestës së Vetëvendosjes me 10 Shkurt 2007. Apo ndoshta edhe prej këtyre vajrave dikush duhet të vdesë që Kryeministri pastaj të na ngushëlloj me fjalime patriotike.
Nëse vizitoni ueb faqen e Doganës së Kosovës (http://unmikcustoms.org/) do të lexoni që misioni i Doganës së Kosovës është: “të mbroj shtetin, ekonominë dhe qytetarët”. Mision i përmbushur fare! Dhe pastaj këta të Komisionit thonë që Drejtori i Doganës nuk ka përgjegjësi.
Ajo qe ndodhi është që në Kosovë u futën, tri mauna me përmbajtje të rrezikshme, të cilat nuk zbritën nga qielli por erdhën për tokë dhe përmes kufirit u futën në Kosovë, dhe tani personi që udhëheqë institucionin i cili kontrollon importin dhe eksportin, nuk ka përgjegjësi për këtë. Unë propozoj ta fajësojmë Iranin, edhe ashtu i forcojmë edhe më tej lidhjet me Amerikën. (Mirëpo, edhe këtu po ngushtohem të kërkojë një gjë të tillë sepse nuk dua ta ngarkojë Ministrinë e Punëve të Jashtme, ai është shumë i ngarkuar).Rikthimi i z.Huruglica në postin tij (nuk kamë asgjë kundër si person sepse nuk e njoh) është niveli më i ulët i përfaqësimit dhe mbrojtës së qytetarëve nga institucionet për të cilat, tek e fundit qytetari paguan që ta bëjnë një gjë të tillë.Ky vendim, më tutje ka shpalosur pa-aftësinë e Qeverisë, që të merë përsipër përgjegjësitë themelore shtetërore. Nuk e kuptoj se çfarë shteti jemi ne?, kur as Policinë, as TMK-në, as Ekonominë, e as Doganën nuk e kemi në dorë. Dhe përderisa neve në Kosovë vazhdojnë të na futen helmet ë ndryshme, EULEX e UNMIK, negociojnë së bashku me shtetin serb për ndarjen e kompetencave në Kosovë.
A e dini qysh? Anuloni zgjedhjet! Ndërroni sistemin e pushtetit. Me sa po duket keni bërë gabim drejtshkrimor kur në Deklaratën e Pavarësisë e keni shkruar se e deklaroni Kosovën, Shtet të Pavarur, Demokratik e Sovran. Kosova nuk është as shtet, sepse Shteti po dështon të përmbushë detyrën primare të tij të mbroj qytetarinë, as Sovrane e qe besa as Demokratike, sepse në demokraci mbrohet qytetari dhe interesi i tij, interesi i qytetarit në këtë rast të Kosovës dhe jo të Italisë.

Vërejtje: Komentet dhe opinionet e botuara në VushtrriaPRESS,nuk shprehin qendrimet  e VushtrriaPRESS-it!

Nga : vushtrriapress@hotmail.com

14 Shtator 2008 më 2:21 pm

Komento