Komenti i javës: Pse FYROM e ka ndalë frymën për njohjen e Pavarësisë së Kosovës
Shkruan:Ramiz Lushaj
(Kryetar i Akademisë Monarkiste Shqiptare)
1.FYROM-i e ka ndalë frymën për deklarimin zyrtar institucional për njohjen e Pavarësisë së Kosovës (!), ndaj e shohim kaq azmatike në qëndrimet e saj, sepse në këtë akt me rëndësi ndërkombëtare don të “pompohet” nga organizata e shtete euro-atlantike, duke u përpjekur të përfitojnë prej tyre, prandaj vetëpërdridhet me yçkla e stërhedh vickla duke e keqlidhur me “demarkacionin e kufinjëve”, duke tjerrur për “kohën e përshtatshme”, duke kalkuluar se “përkrahim vetëm qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare (jo Kosovën!)”, etj. FYROM-i ndëshkuar nga fati historik, me e pa të drejtë, prej vetëvetes dhe prej të tjerëve, po jep në vazhdimësi kohore shembullin e vetë të keq në këtë Rend të Ri Botëror, edhe në këtë rast me Kosovën fqinjë. Kjo do ta bëjnë këtë shtet të ri të paguajnë kosto të mëdha për ardhmërinë e vetëvetes. E para: FYROM-i mezi po merr frymë nga problematikat e saj me fqinjët: “Nëna” e saj fqinjë, Bullgaria, nuk ia njeh as gjuhën maqedonase e as kombësinë (etninë maqedonase), duke pretenduar se në territorin e saj ka vetëm komb bullgar e flitet dialekt i bullgarishtes. “Motra” e saj, Serbia fqinjë, nuk ia njeh pavarësinë e Kishës Ortodokse Maqedonase, ndonëse janë të të njëjtit regjion, pasi don ta mbajnë nën hijen e diktatin e vet kishën maqedonase. “Njerka”, Greqia fqinjë, nuk ia njeh as etninë dhe as emrin këtij shteti sllavo-maqedonas, duke pretenduar se ajo është e vetmja “trashgimtare” e emrit “Maqedon e Maqedoni”; Fqinjës së saj, Shqipërisë, FYROM-i i sotëm i ka të grabitura mbi 50 për qind të territorit gjeopolitik të saj dhe mbi 40 për qind të popullsisë së saj i ka të entisë shqiptare, të cilëve nuk po iu jep të drejtat si shtet-formues sipas Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001.FYROM-i, si krijesë artificiale e shek. XX, nuk i shkon për shtat që të kërkojë në mënyrë artificiale problematika të tjera me fqinjët e saj, të sajojnë “Problemin Nr.5” duke e vonuar njohjen e Kosovës si Shtet të Pavarur e Sovran.FYROM-i, në këtë kohë moderne, në këtë Rend të Ri Botëror, duhet të kërkojnë “frymëmarrje”, jo të mbetet “azmatike” me fqinjët e vet. E dyta: FYROM-i duhet të mësohet që të mos iu bëjnë frymëmarrje artificiale “mushkërive të saj” me shovinizma të vjetër e as të rinj, qoftë me “Demarkacionin e Kufinjëve me Kosovën”, qoftë me “pretendimet” e saj historiko-territoriale ndaj fqinjit jugorë apo të tjerëve për rreth. Në rast se Jugosllavia artificiale, tashmë e shpërbërë, e la si “mollë sherri” kufirin në mes të Kosovës e Maqedonisë, kjo e fundit të mos pandehin se është “molla e Adamit”, me të cilin mund të lindin problematika të reja e zvarritje të tilla për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.”Demarkacionin e Kufirit” nuk mund ta trajtojnë vetëm si “çështje të saj”, pasi është çështje edhe e Kosovës, por edhe e Komunitetit Ndërkombëtar në ndërmjetësim e monitorim, e, për më tepër, në process disa mujor drejt zgjidhjes përfundimtare.Asnjë herë Kosova nuk i ka krijuar problem për kufinjtë, por, përkundrazi, FYROM-i, që në kohën që e shpalli Pavarësinë e vet, pati zëra për të marrë edhe Kosovën Lindore apo, siç cilësohet ndryshe edhe Luginën e Preshevës me komunat e saj, që janë tokë etnike shqiptare të okupuara nga Serbia e djeshme dhe e sotme. Vetë Republika e Maqedonisë e provokoi shpalljen e “Republikës Autonome të Iliriadës” nga Shqiptarët në trojet e veta etnike, e cila ishte nja akt demostrativ përballë shovinizmit sllavo-maqedonas. Në vitin 2001 vetë Akademia e Shkencave të Maqedonisë doli me frymën e provokacionit shovinist, duke tregtuar në mënyrë diplomatike e politike, ndarjen e trevave shqiptare në Maqedoni në mes të Shqipërisë ( i jepeshin Tetova, Gostivari, Dibra ), Kosovës ( Likova në pjesën perëndimore të Kumanovës) dhe të vet Maqedonisë pjesa tjetër “e mbetur”!. Faktori Shqiptar në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë nuk e pranoi këtë “projekt”, përkundrazi, kërkonin që FYROM-i të mbetej shtet në kufinjtë e tij të njohur ndërkombëtarisht dhe Shqiptarët në Maqedoni të ishin me të gjitha të drejtat si shtet-formues, sipas Marrëveshjes së Ohrit.
2.FYROM, siç cilësohet nga OKB apo Maqedonia, siç njihet nga disa shtete, ndihet mjaft e përkdhelur, tejet e përkdhelur, nga aleatë e aleanca e saj euro-atlantike.
Më 8 shtator 1991, nëpërmjët një Referendumi, e shpalli Pavarësinë e saj dhe më 17 nëntor 1991 e sanksionoi me miratimin e Kushtetutës së saj, ndërsa më 8 prill 1993 u pranua në OKB me shkurtesën e emrit FYROM.
Mbi të gjitha, i kapërceu këto “shkallë”, e “hodhi lumin”, ende pa i përmbushur kushtet e parashtruara nga “Mendimi i të Trembëdhjëtëve nga Komisioni Badinter (i krijuar për ish-Jugosllavinë) në vitet 1991-1993.
FYROM, ndryshe nga Boshnje-Hercegovina e Kosova, ndryshe nga Sllovenia e Kroacia, e fitoi që në vitet 1991 e 1993 pavarësinë e antarësimin në OKB pa derdhur asnjë pikë gjaku të shtetasve të vet.
Në kulmacionet e Luftës në Maqedoni (FYROM) në vitin 2001, Bashkimi Europian në Bruksel ra në dakord në parim, që ky shtet, ende pa i përmbushur detyrimet e përcaktuara, të nënshkruantë në Luksemburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit edhe para disa shteteve të tjera ballkanike.
Më 13 gusht 2001, në Shkup, kryeqytetin e vendit, përfaqësues nivele lartë të institucioneve të Republikës Ish Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) dhe të partive politike shqiptare të FYROM, në prani garantore të BE e SHBA, nënshkruan Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila edhe tani, në vitin e shtatë të saj, nuk është realizuar nga mosvullneti, shovinizmi e keqdashësia e Presidentit, Parlamentit e Qeverisë së FYROM. Megjithatë, “e përkdhelura”, që kërkon “Thella”, nuk i hyri asnjë “gjëmbë në Këmbë” për moszabtimin e derisotëm të saj. Përkundrazi hedh hapa me pultime e katapultime drejt antarësimit në BE e NATO.
Ndërkohë që Bashkimi Europian ka dhënë 175 milionë Euro për proçesin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, 53 milionë Euro për invalidët e dëshmorët e konfliktit shqiptaro-maqedonas të vitit 2001, 50 milionë Euro për rindertimet pas shkatërrimeve nga ky konflit ende nuk janë ndjerë sa e si duhet, e, për më tepër. Nuk ka llogaridhënie për destinacionin e efektivitetin e tyre.
“E përkdhelura” FYROM, i ka fryrë kaq shumë “mushkëritë” e saj, saqë tashmë i tregon edhe muskuj force Kosovës fqinjë për njohjen e Pavarësisë së saj duke deklaruar (Antonio Milososki, ministri i jashtëm i saj, i lindur në Tetovë më 1976) se: “Shqiptarët e Kosovës duhet të dinë mirë se ata janë një vend i vogël në Ballkan”, i venë kushte për “Demarkacionin e Kufirit”,, etj.
Në rastin konkret, përsa i përket njohjes së Pavarësisë së Kosovës, kjo nuk është vetëm një kërkesë e Kosovës apo një dëshirë e FYROM, por edhe një çështje euro-atlantike. Përkundrazi, FYROM, në politikën e vet globale, në përcaktimet e saj aleancore, duhet të ketë detyrimet e veta shumëplanëshe.
Në rastin kur e njohin të gjitha vendet e G-7, (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Japonia, Italia e Kanada), nuk e njeh ende FYROM, që këto shtete, jo vetëm e ngritën, por edhe e mbajtën dhe po e mbajnë në këmbë nga ana diplomatike, politike, ekonomike, ushtarake, etj., pamvarësisht nga disa disekuilibra me fqinjët e vetë.
Ndërkohë që, nga 26 shtete antare të NATO-s e kanë njohur Kosovën 21 prej tyre ose 80.77 për qind e tyre, FYROM ende ngadalëson duke përshpejtuar për antarësim në këtë organizatë politico-ushtarake.
FYROM nga 17 dhjetori 2005 është vend kandidat për në Bashkimin Europian, por ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që e njohin 21 nga 27 vendet antare ose 77.78 për qind e tyre.
47 shtetet, që e kanë njohur Kosovën, përbëjnë 70 për qind të GDP botërore.
FYROM për shkak të lidhjeve të vjetra e të reja, të pranishme apo nostalgjike, me Serbinë e Federatën Ruse, sado e “përkdhelur” nuk mund të mbetet kaq gjatë “lozanjare” për t’ua bërë “qejfin” lideres së Bashkimit Sovjetik të Madh e lideres së Bashkimit Sovjetik të Vogël (ish Jugosllavisë) dhe të luajnë me autoritetin, prestigjin ndërkombëtar, të BE e NATO, si në rastin konkret me Kosovën.
3.
Kosova, nga 700.7 km vijë kufitare me fqinjtë e saj ballkanik, 158.7 km i ka me FYROM, që renditet e dyta pas Serbisë ( 351.6 km), ndërsa në vendin e tretë e të katërt vijnë Shqipëria (111.8 km) e Mali i Zi (78.6 km).
Pra, Kosova e ka shtet të rëndsishëm kufitar Maqedoninë, ashtu sikurse edhe kjo Kosovën.
Maqedonia, pas Greqisë me 246 km vijë kufitare, ka të dytën Kosovën (158.7 km), të tretin Shqipërinë me 151 km, të katërtin Bullgarinë me 148 km dhe të pestin Serbinë me 62 km.
Nga kjo paraqitje e vijës kufitare të këtyre dy shteteve themi se nga gjatësia kufitare, Kosova e ka të dytën FYROM-in dhe FYROM e ka të dytën Kosovën. Të parë nga vija kufitare Kosova e ka Serbinë dhe FYROM e ka Greqinë. Serbia nuk ia njeh pavarësinë Kosovës dhe Greqia nuk ia njeh emrin Maqedoni FYROM-it.
Në këtë rast, ndërmarrja e aktit të njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga FYROM është e rëndësishme nga ana strategjike, diplomatike e politike për të dy shtetet kuftitare.
Më i rëndsishëm ky fakt bëhet për FYROM kur kemi parasysh se me Shqipërinë dhe Kosoven (pa llogaritur Kosovën Lindore) i ka 309.7 km vijë kufitare, pra, afro gjysmën e kufirit të saj.
Në këto kushte, njohja e Pavarësisë së Kosovës, merr rëndësi të veçantë edhe për vet FYROM-in apo siç e cilësojnë shumë shtete: Maqedoninë.
Ndaj Shqipërisë fqinjë FYROM ka detyrime të kahershme, pasi Shqipëria e njohu si shtet të pavarur e sovran ndër të parat në botë, ndërsa FYROM nuk renditet as e 48-ta në njohjen e Kosovës.
Në kushtet e rrethanat aktuale FYROM ka aleat të rëndësishëm strategjik Shqipërinë për mundësitë e hapësirat portuale, për Koridorin 8, marrëdhëniet tregtare, etj.
Përndryshe: vetëpërcaktimi i FYROM për njohjen e Pavarësisë së Kosovës ka të bëjnë më vetë Pavarësimin e FYROM-it në lidhje me problematikat me fqinjtë e saj kufitarë, me ecurinë e ardhmërisë së saj me këta fqinjë, veçanërisht me Kosovën e Shqipërinë apo trevën shqiptare të Kosovës Lindore.
4.
FYROM, sado i “përkdhelur” nga të tjerët, sado “provokues” me fqinjtë, nuk duhet të harrojnë faktin se Kosova e ka partnerin e saj të rëndësishëm në marrëdhëniet tregtare.
Në vitin 2007, në eksportet e importet e saj, Kosova, ka këto shtete partnere kryesore:
( 1.000 Euro)
| Shtetet | Eksportet |
| 27 vendet e BE | 69.370 |
| Shqipëria | 20.779 |
| Serbia | 19.270 |
| FYROM | 17.304 |
| Gjermania | 16.190 |
| Zvicra | 12.937 |
| Bullgaria | 10.005 |
| Italia | 9.672 |
| Greqia | 8.400 |
| Suedia | 8.155 |
| Belgjika | 5.587 |
( 1.000 Euro)
| Shtetet | Importi |
| 27 vendet e BE | 572.904 |
| FYROM | 237.895 |
| Serbia | 222.534 |
| Gjermania | 155.031 |
| Kina | 104.951 |
| Turqia | 101.827 |
| Greqia | 63.737 |
| Sllovenia | 62.420 |
| Italia | 57.678 |
| Bullgaria | 42.008 |
Nisur nga kjo paraqitje grafike themi se për vitin 2007, pas Bashkimit Europian, FYROM renditet në vendin e dytë për importet e Kosovës, shtetit më të ri të botës, ndërsa për eksportet në vendin e katërt.
Ndërsa, po të marrim eksportet sipas pikave kufitare, del se në Hanin e Elezit në FYROM, kanë kaluar 49 për qind e tyre, ndërsa importet kanë hyrë nga Hani i Elezit 44 për qind e tyre.
Eksportet për vitin 2008 (në 1.000 Euro)
| Shtetet | Janar | Shkurt | Mars | Prill | Maj | Qershor | Korrik |
| BE | 5.224 | 5.482 | 9.463 | 9.731 | 14.956 | 8.766 | 6.965 |
| FYROM | 790 | 1.628 | 2.113 | 1.598 | 2.795 | 1.692 | 1.031 |
| Shqipëria | 1.050 | 1.189 | 1.874 | 1.447 | 1.448 | 1.621 | 1.899 |
| Serbia | 1.155 | 718 | 626 | 704 | 588 | 933 | 1.120 |
| Mali i Zi | 241 | 194 | 433 | 301 | 423 | 406 | 392 |
Importet për vitin 2008 (në 1.000 Euro)
| Shtetet | Janar | Shkurt | Mars | Prill | Maj | Qersho | Korrik |
| BE | 29.565 | 44.386 | 47.438 | 57.114 | 60.924 | 66.048 | 63.459 |
| FYROM | 22.268 | 23.534 | 26.844 | 28.268 | 37.974 | 29.662 | 36.082 |
| Shqipë | 1.519 | 3.143 | 4.348 | 5.737 | 6.215 | 7.770 | 4.424 |
| Mali Zi | 449 | 757 | 1.316 | 1.379 | 1.051 | 1.237 | 1.201 |
Edhe për vitin 2008, nga janari në korrik, FYROM renditet e dyta në importet e eksportet me Kosovën, pas Bashkimit Europian me 27 vendet e tij. Ndërsa , pas saj, vijnë shtetet e tjera kufitare me Kosovën, si Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Edhe për vitin 2008 për eksportet e importet e Kosovës, pika kufitare kryesore mbetet ajo e Hanit të Elezit në FYROM. Eksportet: janar 47.6 për qind, shkurt 40.9 për qind, mars 45.8 për qind, prill 28.2 për qind, maj 39.1 për qind, qershor 40.9 për qind dhe korrik 36 për qind. Importet: janar 42.6 për qind, shkurt 40.3 për qind, mars 44.4 për qind, prill 42.6 për qind, maj 46 për qind, qershor 42.1 për qind dhe korrik 44.4 për qind.
Në këto raporte ekonomike të tregtisë së jashtme të Kosovës shohim se FYROM ndihet mjaft e privilegjuar, ndërkohë që është mjaft e vonuar për njohjen e pavarësisë së saj.
Mjafton nga ana e Kosovës një mbyllje e pikës kufitare të Hanit të Elezit dhe një bllokim i eksport-importeve me FYROM e kjo e fundit do të ndjente një krizë të jashtëzakonshme në vendin e saj.
Në të kundërt, në rast se do ta kryente një sipërmarrje të tillë FYROM, atëherë Kosova do të vepronte me pikat kufitare më Shqipërinë e do ta ndjente më pak krizën. Po, FYROM nuk e ndërmerrë dot një sipërmarrje të tillë se do të kishte kundër përgjigje të njëjtë nga Shqipëria, çka do t’i shkaktonte një krizë të papërballueshme e kapërcimin e saj me vështirësi të paimagjinueshme.
Në këtë analizë shifrash del se FYROM vetëm përfiton nga Kosova dhe nuk don që Kosova të fitojnë në rritjen numerike të shteteve të botës që e njohin pavarësinë e saj për të shkuar drejt antarësimit në OKB.
FYROM, në rastin e mosnjohjes të deritanishme të Kosovës, tregon se flet e punon për integrimet euro-atlantike të saj dhe flenë e zgjohet me interesat sllave (Serbi-Rusi) për ngadalësimin e frenimin e njohjes të Kosovës nga shtete të tjera e organizma të ndryshme ndërkombëtare.
5.
Në fillim të fillimit e në fund të fundit, FYROM nuk e njeh ende Pavarësinë e Kosovës pasi as vetë nuk është çliruar ende nga qëndrimet shoviniste të saj ndaj Shqiptarëve në Trojet e Tyre Etnike në Ballkan.
Këtë e ka treguar në 17 vjet të Pavarësisë së saj.
Me vrasjet në kufi të 37 shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë e plagosjen e dhjetra të tjerëve, që shkonin në FYROM për të takuar njerëzit e vet të gjakut ose kur iu dilnin bagëtia e shkonin t’i kthenin për në shtëpi. Shqiptarët, kurrë në historinë e tyre nuk kanë vrarë asnjë çoban (bari) sllav dhe as fëmijë, siç kanë bërë maqedonasit.
Me vrasjet, plgosjet e burgosjet për Flamurin Kombëtar Shqiptar, siç vepruan më 9 korrik 1997 në komunën e Gostivarit e të Tetovës, që hoqën flamurin nga shtiza në këto komuna, vranë 3 shqiptarë, plagosen rreth 200 shqiptarë e burgosen edhe kryetarin e komunës Rufi Osmani e të tjerë. Me 24 tetor 2007 Gjykata Kushtetuese e FYROM e suprimoi Flamurin Kombëtar Shqiptar.
Me vrasjet, plagosjet e burgosjet për Gjuhën Shqipe, siç është rasti i Universitetit Shqiptar të Tetovës, në themelinë e të cilit është edhe gjaku i Abdylselam Eminit më 17 shkurt 1995, që u vra në ditën e ligjëratave në këtë universitet dhe u plagosën e burgosën dhjetra shqiptarë. Ende edhe sot Gjuha Shqipe nuk e ka zënë vendin e vet të merituar në shtetin e FYROM-it.
Ende FYROM nuk i mirërregjistron shqiptarët në këtë shtet, por përpiqet të ulin numrin e tyre, siç veproi me Ligjin për shtetësinë maqedonase të 28 tetorit 1992,ku mbetën pa shtetësi dhe pa të drejtë vote mbi 100 mijë shqiptarë. Ende edhe sot iu vendosin me detyrim zyrtar, brutalisht, edhe shqiptarëve, mbiemrat me prapashtesën maqedonse “ov” dhe “ski”(!).
Në vitin e parë të pavarësisë së tij si Ish Republikë Jugosllave e Maqedonisë (FYROM), ndonëse e fitoi pa derdhur asnjë pikë gjak, vazhdoi të derdhin gjak të pafajshëm shqiptar, si në Bit Pazar në Shkup më 6-7 nëntor 1992, ku vranë tre burra e një grua e deri në vitin 2007 në Brodec, që vrau 6 vetë e sivjet, më 2008, në Haraçinë në Shkup. Kulmi i këtyre masakrave ka qënë gjatë vitit 2001, me nisjen e konfliktit në Tanushë, në rrethinë të Shkupit në shkurt e mitingut e 14 marsit në Tetovë dhe shtrirjen e konfliktit në komuna me shumicë e pakicë shqiptare në FYROM. Në këtë vit, sllavo-maqedonasit, të prirë nga Lubo Boshkovski, bënë edhe spastrime etnike në Manastir, Prilep, etj., ku shqiptarëve iu dogjën shtëpitë e shitoret dhe i shpërngulën me forcë nga toka e tyre e të parëve të vet. Në një burim zyrtar flitet se edhe pas vitit 2001, pas Marrëveshjes së Ohrit, numërohen mbi 500 shqiptarë të vrarë ngë forcat policore e sllavo-maqedonasit e FYROM.
Në vitin 2001, gjatë konfliktit shqiptaro-maqedonas, kryeministri Boshkovski, krijoi njësinë paramilitare sllavo-maqedonase “Luanët” për të vrarë shqiptarët, djegur shtëpitë e shkatërruar pasuritë e tyre.
Në vitin 2004, pikërisht më 7 nëntor, FYROM organizoi një Referendum Popullor për Marrëveshjen e Ohrit, ku 445.000 sllavo-maqedonas votuan kundër saj. Nuk janë pak, pot ë kemi parasysh faktin se, sot, më 2008, FYROM numëron 2.061.315 banorë, nga të cilët mbi 800.000 deri në 1 milionë janë shqiptarë. Po ka edhe diçka tjetër: në FYROM ka mentalitet antishqiptar, ka shovinizëm ndaj shqiptarëve. Më 27 shtator 2001 në FYROM filloi misioni “Dhelpra e Kuqërremtë” për shpërbërjen e UÇK-së. Kjo ndodh edhe sot më 2008.
FYROM ende ka në aktivitet shovinist, që iu duket vetja si “Luanë” ndaj shqiptarëve, si më 2001, ende duan t’iu pengojnë Gjuhën Shqipe e t’ua ndalin Flamurin Kombëtar Shqiptar, etj.
FYROM, si me vetëveten, edhe ndaj njohjes së Kosovës si shtet i Pavarur e Sovran, me 2.2 milionë banorë e 10.887 km2, që e kanë njohur shtete e organizma nga më të fuqishmet e shek. XXI, vazhdon të luajnë “Lojën e Dhelprës” me ngjyra të ndryshme.
FYROM duhet të dijnë se nuk mund të marrin më frymë shovinizma sllave mbi Shqiptarët në Ballkan, as në territorin e saj, ku shqiptarët janë e do të jenë shtet-formues, as në Kosovë, shtetin më të ri të botës, as në Shqipëri, në Mal të Zi, Kosovën Lindore, etj.
FYROM në rast se do të njohin sa më shpejt Kosovën si Shtet të Pavarur e Sovran, është shansi i saj, është në nderin e dinjitetin e saj, është hap drejt së ardhmes së vetë në raporte më pak problematike me fqinjtë kufitare e me politiën e diplomacinë globale e në veçanti atë euro-atlantike.
Tashmë Pavarësia e Kosovës është një realitet. Njohja me vonesë nga FYROM tregon se e kapën me vonesë realitetin, ngaqë arritjet e veta i ka më shumë si “dhuratë” nga të tjerët, ngaqë është “përkdhelur” më shumë nga rastet se nga meritat, nga pozicioni se sa nga kontributet, ashtu sikurse edhe është ndëshkuar apo mund të ndëshkohet nga fati gjeo-historik e fatalitetet e saj të kohës në raporte problematike me fqinjtë e vet.
Ramiz LUSHAJ
Kryetar i Akademisë Monarkiste Shqiptare
Shënim: Mendimet e qëndrimet janë të autorit dhe nuk implikojnë asnjë organizëm tjetër si AMA, ACABS, AFCES, etj.
Tel. 068 35 31 197
0 komente