Ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi u takua me përfaqësues të Nënkomisionit për Siguri dhe Mbrojtje në Parlamentin Evropian dhe përfaqësues të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian
Prishtinë,tetor 2008-Ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi e shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj, pritën mbrëmë në një takim përfaqësues të Nënkomisionit për Siguri dhe Mbrojtje dhe përfaqësues të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.Në këtë takim Ministrja Kelmendi i njoftoi eurodeputetët me punët që kryen Ministria e Drejtësisë, me planin strategjik të MD-së, si dhe me të arriturat, me sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet Ministria e Drejtësisë. Sipas Zyrës për Informim pranë MD-së, në këtë takim Ministrja Kelmendi i njoftoi të pranishmit edhe me gjendjen aktuale në Republikën e Kosovës, duke u fokusuar në pengesat e shumta që po i bëhen Republikës së Kosovës në të gjitha fushat, nga Beogradi zyrtar. “Nuk po mundemi t’i përkushtohemi aq sa është e nevojshme krijimit të kushteve të stabilitetit e mirëqenies dhe marrëdhënies paqësore e miqësore të bazuara në respektimin e parimeve të barazisë së të drejtave njerëzore, për shkak të presioneve që regjimi i Beogradit po bën ndaj komunitetit serb në Kosovë” tha Ministrja Kelmendi, duke shtuar se “nuk po mund të funksionalizohet as shtetësia e Kosovës, për shkak të presioneve që regjimi i Beogradit po bën duke e ngritur në protesta komunitetin serb në të gjitha enklavat sa herë që tentohet të vendoset rendi e ligji në to, me funksionalizimin e institucioneve të drejtësisë, policisë dhe të doganave të Kosovës”.Ministrja Kelmendi gjithashtu veçoi se, po nga Beogradi, po pengohet edhe përparimi ekonomik dhe bashkëpunimi ekonomik ndërkombëtar i Kosovës në organizmat ndërkombëtar financiar, në shtetet që synojnë të investojnë në Kosovë, gjë që po ndikon në përkeqësimin e gjendjes sociale.“Kosova po pengohet të disponoj lirisht me pasuritë dhe burimet natyrore me të cilat është shumë e pasur dhe do të mund të zhvillonte industri përpunuese të këtyre resurseve, me çka do të forconte ekonominë e vet”, shtoi Ministrja Kelmendi. Ministrja Kelmendi gjithashtu i njoftoi eurodeputetët se nga regjimi i Beogradit po pengohet edhe shtrirja e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës dhe fillimi i funksionimit të tij. Kurse Misioni i OKB-së, po pranohet në mënyrë selektive, në ç’mënyrë po pengohet edhe rikonfigurimi i UNMIK-ut, i paraparë nga Sekretari i Përgjithshëm i KS-së të OKB-së, në ç’mënyrë po nëpërkëmbet roli i OKB-së, si organizatë botërore, që ka rastin e Kosovës.“Procesi i Pavarësisë së Kosovës nuk mund të kthehet prapa, sikur që rrota e historisë nuk mund të kthehet prapa. Andaj për t’iu shmangur rreziqeve nga ndonjë destabilizim i mundshëm për shkak të ngadalësimit të funksionalizimit të shtetit të Kosovës në tërë territorin e saj, duhet gjetur shtigje për t’i dhënë fund implikimeve të regjimit të Beogradit në punët e Brendshme të Kosovës dhe të hapen shtigjet për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës” theksoi Ministrja Kelmendi.Poashtu në këtë takim Ministrja Kelmendi i informoi eurodeputetët se në Kosovë nuk ka konflikt ndërfetar dhe populli shqiptar mund të konsiderohet populli më tolerant sa i përket fesë dhe në Kosovë që nga viti 2004 nuk ka pasur asnjë krim ndëretnik.Ndërkaq, përfaqësuesit e Nënkomisionit për Siguri dhe Mbrojtje dhe përfaqësuesit e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian i parashtruan disa pyetje Ministres së Drejtësisë, znj. Nekibe Kelmendi nga përgjigjet dhe elaborimet e së cilës u ndanë shumë të kënaqur.Gjithashtu, eurodeputetët e falënderuan konkretisht Ministren Kelmendi për angazhimin e vazhdueshëm të saj, që nga viti 1999, për krijimin e institucioneve të qëndrueshme të drejtësisë në Kosovë dhe rritjen e efikasitetit të këtyre institucioneve. VushtrriaPRESS
0 komente