Avni Klinaku:Qeveria e Kosovës duhet domosdo ta rishqyrtojë politikën e saj ndaj Serbisë
Foto:Pamje nga konferenca e sotme
Prishtinë, tetor 2008-Fjala e plotë e Avni Klinakut, Kryetar i Lëvizjes për Bashkim në konferencën për media të mbajtur sot. Klinaku:”Për shkak të shqetësimit në lidhje me ofensivën më të re serbe ndaj Kosovës si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin ndërkombëtar. Para disa ditësh Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq doli me opsionin për ndarje të Kosovës. Në të njëjtën kohë diplomacia serbe me anë të një rezolute, e cila kaloi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Është e vërtetë se vlerësimi i GJND-së ka vetëm rëndësi këshilluese. Këtë fakt e dinë dhe e pohojnë edhe faktorët ndërkombëtarë, edhe pala serbe, po ashtu e dimë edhe ne. Prandaj, në shikim të parë kjo nuk duket edhe aq shqetësuese. Mirëpo, kur të analizohet thënia e Tadiqit se “opsioni i ndarjes së Kosovës vjen në shprehje vetëm pasi të shterohen opsionet tjera, megjithëse ato janë fare pak”, del se Serbia po përgatitet në mënyrë intensive për ndarjen e Kosovës. Opsioni serb për ndarje të Kosovës është shumë i qartë për opinionin e gjerë: veriu i Kosovës(me shumicë serbe), pjesa qendrore e Kosovës (me një pakicë relative serbe) si dhe rajoni i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës (me një shumicë shqiptare) t’i mbeten Serbisë, pastaj pjesës tjetër të Kosovës t’ia njohë pavarësinë!!! Është kjo një politikë e dukshme, armiqësore ndaj popullit shqiptar dhe e rrezikshme për paqen në rajon e më gjerë. Megjithatë, e keqja më e madhe nuk qëndron në deklaratat e Tadiqit dhe në tendencat e Serbisë, por në mungesën e vizionit dhe guximit të Qeverisë së Kosovës për të reaguar në mënyrën e duhur ndaj pretendimeve serbe. Sjellja e Qeverisë së Kosovës, me politikën e saj inerte në raport me veriun e Kosovës, me qasjen e gabuar ndaj pakicës serbe që jeton në pjesën qendrore të Kosovë si dhe me politikën e gabuar ndaj shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta historike në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, po i kontribuon në mënyrë indirekte (ndoshta edhe me pa vetëdije), ose ndarjes së dhimbshme të Kosovës ose luftës së re. Prandaj Lëvizja për Bashkim kërkon thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku do të rishqyrtohej politika e Kosovës ndaj Serbisë, ndaj veriut të Kosovës, ndaj pakicës serbe në Kosovë (sidomos ndaj decentralizimit) si dhe ku do të shqyrtohej qasja dhe qëndrimet e politikës së deritanishme të Kosovës dhe institucioneve të saj ndaj popullit shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”.
Shkruan: Avni KLINAKU(Kryetar i Lëvizjes për Bashkim)
Vërejtje: Ky shkrim i botuar në VushtrriaPRESS, nuk shpreh qendrimet e VushtrriaPRESS-it!

0 komente