Agjencia e Pavarur e Lajmeve VushtrriaPRESS

Kontaktoni Redaksinë: vushtrriapress@hotmail.com

Për shkak të mosekzekutimit të vendimit gjyqësor i dënuari J. Kurshumliu po mban grevë urie  

Për shkak të mosekzekutimit të vendimit gjyqësor i dënuari J. Kurshumliu po mban grevë urie-VushtrriaPRESS 

Prishtinë,tetor 2008-I burgosuri J.Kurshumliu (1955), i arrestuar më 03 tetor 2008, është duke mbajtur grevë urie në Spitalin e Burgut të Dubravës, për shkak të mosekzekutimit të vendimit gjyqësor që ka të bëjë me kontest të pronës së tij. Kurshumliu ka qëndruar një javë në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe pasi që gjendja shëndetësore ka filluar t’i keqësohet, më 10 tetor 2008 është dërguar në Spitalin e Burgut të Dubravës, ku edhe po monitorohet nga stafi mjekësor i spitalit të burgut. J. Kurshumliu, është i burgosur për të gjashtën herë që nga viti 2004. Arsyet janë kryesisht për prishje të rendit dhe për kundërvajtje për shkak të protestës së tij tek organet gjyqësore për mos implementim të vendimeve gjyqësore për shkak të kontestit të pronës se tij. Pas kësaj ai kryesisht dënohet dhe dërgohet në burg, ku menjëherë fillon grevën e urisë deri në lirim, e cila shumë herë ndodh që zgjatë edhe deri në 20 ditë. Asnjë herë arsyeja e grevës nuk ka qenë për trajtim joadekuat në burg, por për vendimet ose mos vendimet e gjykatës. Stafi i Shërbimit Korrektues dhe i Ministrisë së Drejtësisë reagon duke e dërguar së pari në Spitalin e Burgut të Dubravës dhe pastaj nëse gjendja i keqësohet e dërgon edhe në Spitalin Rajonal të Pejës. Në të gjitha rastet personeli i Ministrisë së Drejtësisë dhe i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka biseduar me të dhe është përpjekur që ta ndihmojë atë. Poashtu stafi i SHKK-së i ka informuar të gjithë faktorët relevant dhe palët me të cilat ai ka kërkuar të bisedoj, të cilët e kanë vizituar në të shumtën e herëve dhe pastaj në disa raste ai ka ndërprerë grevën. Me J. Kurshumliun, disa herë ka biseduar edhe Ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi dhe u.d. Sekretari i Përhershëm Florian Dushi, të cilët e kanë këshilluar ta ndërpresë grevën dhe ta ruaj shëndetin e tij. Kurshumliu ka pasur raste që pas bisedës me Ministren Kelmendi dhe Sekretarin Dushi ta ndërpresë grevën. Kurshumliu thekson se është i kënaqur me trajtimin që i bëhet në burg dhe çdo here thotë se: “unë vetëm këtu po e  kuptoj dhe po e ndjej përkrahjen dhe më lehte po i realizoj takimet, të drejtat e mija dhe interesimin e faktorëve relevant për mua sesa jashtë. Në liri nuk kam kurrfarë jete, gjykata nuk funksionon dhe nuk po më realizohet e drejta e ime”. Stafi shëndetësor, në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, janë duke e përcjellë gjendjen e tij shëndetësore, dhe në rast të keqësimit më të madh të gjendjes se tij shëndetësore do të detyrohet ta dërgojë në Spitalin Rajonal të Pejës. Kjo situatë vazhdimisht po paraqet ngarkesë dhe përgjegjësi të madhe për Ministrinë e Drejtësisë, Shërbimin Korrektues, e veçanërisht për stafin mjekësor, i cili ka përgjegjësi për jetën e tij. Natyrisht se çdo herë respektohen me përpikëri protokollet e grevës së urisë dhe vazhdimisht përcillet nga stafi mjekësor duke ia shpjeguar çdo herë rrezikun qe ai po ia eksponon vetes në aspektin shëndetësor. Poashtu kjo situatë po shkakton telashe dhe angazhime shumë te mëdha shtesë lidhur me të. Ministria e Drejtësisë së bashku me personelin shëndetësor të Shërbimit Korrektues edhe kësaj radhe do ta trajtojë J. Kurshumliun sipas protokollit deri sa të përfundoj qoftë greva qoftë dënimi që i zgjat deri më 1 nëntor 2008,njofton Zyra për Informim pranë Ministrisë së Drejtësisë. VushtrriaPRESS

Nga : vushtrriapress@hotmail.com

20 Tetor 2008 më 2:35 pm

Komento