Romani “Gjarpinjtë…” e Demaçit mbushin 50 vjet
Shkruan:Minire Berisha
Prishtinë, 20 nëntor 2008 (VushtrriaPRESS)- Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës kremtoi 50 vjetorin e botimit të romanit “Gjarpinjtë e gjakut” të shkrimtarit, intelektualit dhe patriotit Adem Demaçi. “Letërsia ime ka qenë dhe ka mbete thellësisht politike, por jo e shkruar në mënyrë politike, por në mënyrë artistike”, ka thënë shkrimtari dhe veprimtari Adem Demaçi, me rastin e shënimit të 50 vjetorit të botimit të romanit të tij “Gjarpinjtë e gjakut”. Ky manifestim është mbajt të mërkurën në mbrëmje në hotel Victory, në organizim të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe këto fjalë Demaçi i tha pas disa polemikave ndërmjet disa të pranishmëve që thoshin se romani i Bacit ka qenë politik, e të tjerët që thoshin se ai ka qenë artistik. “Politika ka qenë ajo që me ka shtyrë që të merrem me letërsi, sepse ishte e pamundur që idetë e mia politike t’i plasoj ndryshe në turmat shqiptare përveç nëse duke ia mbështjellë me njëfarë sheqeri”, është shprehur Demaçi, i cili para një kohë ka qenë edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Ai shtoi se idetë e tij politike i ka shndërruar në ndjenja dhe këtu, sipas tij, qëndron arti. “Ata që e kanë lexuar Hegelin e dinë këtë. Detyra e artit është të shndërrohet në ndjenja”, ka thënë Demaçi, ku kohë pas kohe, të pranishmit duartrokisnin. Për romanin “Gjarprinjët e gjakut” të Demaçit referuan Kadrush Radogoshi, kryetar i LSHK-së, Abdullah Konushevci dhe Sabile Basha. Kryetari i LSHK-së, Kadrush Radogoshi, foli për biografinë e Adem Demaçit, ku ndër të tjera ka thënë se u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. “Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995”, ka thënë ai, duke shtuar se në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Për disa vite ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.Në vazhdim pjesëmarrësit tjerë diskutuan për vlerat e veçanta dhe receptimin e kësaj vepre letrare, e cila u persekutua po edhe u adhurua së bashku me autorin. Ndërkaq, disa fragmente nga romani u interpretuan nga aktori Nimon Muqaj. Në këtë përvjetor morën pjesë shumë shkrimtarë, kritikë e studiues të letërsisë, intelektualë e artistë të profileve tjera.Sponsor i këtij manifestimi ishte pronari i Hotelit “Victory”, prof. dr. Bedri Selmani.
Boks: Adem Demçi ka botuar këto veprat letrare:
“Gjarpinjtë e gjakut” (roman), Jeta e Re, 1958.
“Gjarpinjtë e gjakut dhe novela të tjera” (zgjedhje), Nju-Jork, 1983.
“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1984.
“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Lumi”, Lubjanë, 1984.
“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim i kthyer në gjuhën letrare), “Buzuku”, Prishtinë, 1990.
“Kur Zoti harron” (vëllim me tregime), Zëri i Rinisë, Prishtinë, 1990.
“Libër për Vet Mohimin” (roman), botoi autori, Prishtinë, 1994.
“Libër për Vet Mohimin” (ribotim), Rotanor Boksproduksjon AS, Skien Norëay, 1994.
“La metamorfosi di Vet Mohim” (përkthyer nga Nermin Vlora Falaski), Romë, 1995.
“Tung, vargu im”, “Rilindaj”, Prishtinë, 2002.
“Heli dhe Mimoza”, botoi autori, Prishtinë, 2006.
“Dashuria kuantike e Filanit”, “Infopress” & “Buzuku”, Prishtinë, 2007.
“Alb Prometeu”, QNK “Arbnori”, Tiranë, 2008.
Librat me intervista
“Kosova flet vetë” (intervistoi M. Emërllahu), “Zëri i Rinisë”, Prishtinë, 1990.
“Njëzet e tetë vjet - as i gjallë, as i vdekur” (intevistoi M. Hanzhek), “Lumi”, Lubjanë, 1990.
“Republika e Kosovës është shpallur në zemrën e popullit tim” (vëllim me intervista), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1990.
“Dhjetë mijë ditë robëri” (intervistoi F. Radonçiq), Danas, Zagreb, 1990.
“Kosova në udhëkryq”, “Albanian Esperanto-Institut”, Tiranë, 2005

0 komente