Podujevë, 18 dhjetor 2008(VushtrriaPRESS)-Në prag të manifestimit letrar takimet kulturore “Kadriu Kadriu” Sektori i Kulturës në Podujevë ka shpallur konkursin letrar në poezi, ku të drejtë pjesëmarrje kanë të gjithë poetët që shkruajnë në Kosovë. Çmimi i parë për poezinë më të mirë të konkursit do të shpërblehet me 120 euro, i dyti me 100 kurse i treti me 80, ka njoftuar udhëheqësi i Sektorit të Kulturës Nexhmi Balaj.Të gjitha punimet duhet të dorëzohen në tri kopje në lokalet e Qendrës së Kulturës afër sallës së Kinemasë në Podujevë ose nëpërmjet postës, thuhet në njoftim. Punimet e dërguara nuk preferohet të jenë më të gjata se 50 vargje, por duhet të jenë origjinale e me shifër që nuk janë publikuar deri më tash, njoftoi Balaj. Zyra për Informim pranë kësaj Komune, njofton se punimet mund të dorëzohen deri më 24 dhjetor, kurse rezultatet e konkursit do të publikohen dy ditë më vonë më datën 26 të këtij muaji në orën e madhe letrare, ku do të jepet edhe çmimi “Afrim Maliqi për poezinë më të mirë të lexuar në orën letrare, njofton organizatori. Gjatë këtij manifestimi do të prezantohen edhe librat e botuar nga Qendra e Kulturës e Podujevës dhe do të përurohet objekti i ri i bibliotekës së qytetit i djegur gjatë luftës. Këto takime kulturore që shënojnë të arriturat në kulturë brenda vitit kalendarik mbajnë emrin e poetit dhe intelektualit llapjan Kadri Kadriu dhe kanë filluar të organizohen që nga fillimi i viteve ’90-ta pas pavarësimit të segmenteve të shtetësisë së Kosovës.
Komente
0 Komente: “Në Podujevë shpallet konkursi letrar për poezi”
Komento