VUSHTRRI,2 KORRIK 2009(VushtrriaPress)-Mbrëmë rreth orës 21:00, në një aheng familjar në fshatin Pantinë të Vushtrrisë, një 45 vjeçar është vetëplagosur me armë zjarri, njofton Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë. Pas pranimit të ndihmës së parë në Qendrën Emergjente në Vushtrri, viktima është transferuar në QKUK në Prishtinë, për trajtim të mëtejmë mjekësor. Mësohet se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë. Njësitë e para të policisë, të cilat kanë reaguar në vend të ngjarjes, kanë kuptuar se viktima është vetëplagosur si rezultat i të shtënave gjatë ahengut familjar. Gjatë zbatimit të kontrollit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka identifikuar dhe sekuestruar si pjesë të provave materiale armën e markës “TT M-57” të kalibrit 7.62 mm. Prokurori publik i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, së bashku me hetuesit rajonal të Policisë së Kosovës kanë dalë në vend të ngjarjes. Policia ka iniciuar paraqitje penale ndaj viktimës, përkatësisht të dyshuarit të rastit për “mbajtje në pronësi-kontroll, dhe shfrytëzim të paautorizuar të armës”, thuhet në një njoftim të Policisë .
Komente
Komentet janë mbyllur.
Komento