VUSHTRRI,12 SHKURT 2010(VushtrriaPress)-Policia e Kosovës njofton se një njësi patrulluese policore e stacionit të Vushtrrisë, gjatë reagimit në asistencën e kërkuar në një rast në magjistralen Mitrovicë – Prishtinë, vendos për caktim të prioriteteve të rastit pasi identifikon një veprim të dyshimtë në afërsi të shkollës fillore “Latif Berisha” në Vushtrri. Njësia patrulluese e policisë në Vushtrri, gjatë reagimit në një rast të caktuar, ka vërejtur një automjet të parkuar përskaj rrugës magjistrale, përkatësisht në afërsi të objektit të shkollës fillore ndërsa në të njëjtën kohë, disa persona të panjohur ishin vërejtur duke bartur gjësende të nxjerra nga shkolla në tentim për ti futur në automjet. Një veprim i tillë në minutat e para të pasmesnatës, ka zgjuar kureshtjen e policëve të vëmendshëm të cilët janë obliguar që të njoftojnë qendrën operative për caktim të prioriteteve në reagim të rastit. Njësia policore është obliguar të bëj një kthim në vendin e dyshuar të mundshëm për aktivitete kriminale, ndërsa persona ende të paidentifikuar në pamundësi të realizimit të qëllimit të tyre, me të vërejtur patrullën policore, kanë braktisur gjësendet së bashku me automjetin e tyre.Në automjetin e braktisur nga të dyshuarit, janë identifikuar; një shtëpizë e kompjuterit, një tastaturë, një UPS dhe pajisje tjera shtesë të kompjuterëve të cilat besohej se ishin vjedhur nga objekti i shkollës. Automjeti “Ford – Fiesta”, pronë e një qytetari, banor i Prishtinës, së bashku me pajisjet e marra nga shkolla, janë sekuestruar nga policia si pjesë e provave materiale.Veç pajisjeve të shkollës, në automjet policia ka gjetur edhe dy telefona mobil që besohet tu takonin të dyshuarve të këtij rasti.Lidhur me rastin, policia ka njoftuar edhe drejtoreshën e shkollës fillore për të bërë inspektimin e objektit shkollor ndërsa teknikët e kriminalistikës besojnë se të dyshuarit kanë depërtuar me forcë brenda objektit përmes dritareve të shkollës. Rasti i iniciuar me hetimet fillestare nga patrulla policore është regjistruar në stacionin policor në Vushtrri ndërsa për zhvillim të procedurave të mëtejme rasti i është dorëzuar sektorit të hetimeve, thuhet në njoftimin e zyrës për Informim të Policisë së Kosovës(PK).
Komente
Komentet janë mbyllur.
Komento